Sipas PDK-së, ky marsh ka për qëllim të mbrojë parimet e drejtësisë dhe të ngrejë zërin kundër çdo ndikimi politik në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë hapa konkretë për mobilizimin e të gjitha strukturave të saj partiake në mbarë vendin, me synim përfshirjen sa më të gjerë të qytetarëve në marshin qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë!”, i cili do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Në një reagim publik të shpërndarë në rrjetet sociale, PDK ka konfirmuar mbështetjen e plotë për këtë iniciativë qytetare të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, duke e cilësuar marshin si një shprehje legjitime, demokratike dhe paqësore të vullnetit qytetar për drejtësi të barabartë dhe të pavarur.
Sipas PDK-së, ky marsh ka për qëllim të mbrojë parimet e drejtësisë dhe të ngrejë zërin kundër çdo ndikimi politik në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarë të tjerë.
Partia thekson se, në një moment kur këto procese po hyjnë në fazat përfundimtare, është e domosdoshme që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme, profesionale dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, pa paragjykime dhe pa agjenda politike.
Në deklaratë, PDK-ja rikujton se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare, e lindur si rezultat i shtypjes dhe padrejtësive historike ndaj popullit të Kosovës, dhe se kjo luftë përbën themelin mbi të cilin është ndërtuar liria dhe shtetësia e vendit. “Çdo tentativë për ta shtrembëruar apo relativizuar këtë realitet historik përbën një padrejtësi të rëndë ndaj sakrificës së mijëra qytetarëve që dhanë jetën për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar”, theksohet më tej në reagim.
Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që, në frymën e unitetit, respektit institucional dhe angazhimit qytetar, të marrin pjesë në marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar trashëgiminë çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.







