Dy shqiptarë janë dënuar me 56 muaj burg në Angli, pasi janë shpallur fajtorë për tentativën për grabitje në disa vila, mes të cilave edhe në atë të futbollistit Skot Hogan
Denis Puka, 28-vjeçar dhe Erisjan Laska, 29-vjeçar, u dënuan nga gjykata pasi pranuan fajin për ngjarjet, ndërsa më parë u dëgjua dëshmia e Hogan, futbollist i cili në karrierën e tij ka veshur edhe fanellën e Aston Vilës dhe Brentford, ndërsa ka luajtur 12 ndeshje me përfaqësuesen e Irlandës.
Ai tregoi para gjykatës së si drita e elektrikëve të dorës së hajdutëve e kishte zgjuar atë dhe gruan në ngjarjen që kishte ndodhur në qershorin e vitit të kaluar. Ata kishin tentuar të hynin nga dritarja, futbollisti kishte reaguar dhe i kishte ndjekur nga pas, por ata ia kishin dalë të largoheshin.
Më pas u publikuan të dhënat se si banda e cila përbëhej nga tre persona, me të tretin që nuk është ndaluar nga policia, kishte vendosur dhe ndërruar vazhdimisht targa makinash false në mënyrë që të mos identifikoheshin. Por policia i kishte gjetur si Pukën, ashtu edhe Laskën, të cilët kishin pranuar se kishin kryer një seri tentativash vjedhje në shtëpi në zonën e Çishajër.
“Ngjarja ka shkaktuar një stres të madh emocional për mua dhe bashkëshorten time, e cila është shtatzënë. Kur nuk jam në shtëpii, tani kam frikë për gruan dhe fëmijën tim”, ishte deklarata e Hogan që u lexua para se gjykata të jepte vendimin.
Policia kishte zbuluar makinën e bandës shqiptare duke parë kamerat e sigurisë, duke gjetur më pas “mjetet e punës” për grabitje, përfshirë leva dhe maska, si dhe nëpërmjet kontrollit të tyre në celularë, konfirmoi përfshirjen pasi ata kishin kërkuar vazhdimisht adresat e vilave që ishin vënë në shënjestër të grabitjeve.
Puka do të deportohet në Shqipëri pas kryerjes së dënimit në Angli, ndërsa Laska, pritet të qëndrojë në Angli, pasi është i martuar me një shtetase britanike. Ky i fundit ka qenë futbollisti i skuadrave U17 dhe U19 të Laçit.







