Sipas përfaqësuesve të OSBE-së, këto rekomandime synojnë të adresojnë problematika të përsëritura ndër vite
Klima e tensionuar politike në vend ka vënë në pauzë edhe një nga proceset më të rëndësishme institucionale, reformën zgjedhore. Edhe pse komisioni i posaçëm parlamentar për këtë reformë u krijua që në muajin tetor, ai nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje dhe nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret. Shkak për këtë ngërç mbetet përplasja e vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës, e cila ka pamundësuar dialogun mes palëve, jo vetëm për reformën zgjedhore, por edhe për reforma të tjera që janë në tryezë, si ajo territoriale.
Në këtë situatë, vëmendja është kthyer nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht nga OSBE-ja dhe misioni i saj i vëzhgimit të zgjedhjeve, ODIHR, të cilët janë këshilluesit kryesorë të Shqipërisë në fushën e standardeve zgjedhore. Diplomatët e këtij institucioni u kanë bërë thirrje deputetëve që të rikthehen në tryezën e punës dhe të angazhohen seriozisht për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga ODIHR pas zgjedhjeve të fundit.
Sipas përfaqësuesve të OSBE-së, këto rekomandime synojnë të adresojnë problematika të përsëritura ndër vite dhe të përmirësojnë ndjeshëm kuadrin ligjor zgjedhor. “Rekomandimet e ODIHR kanë si qëllim përmirësimin e ligjit zgjedhor dhe në këtë drejtim ne inkurajojmë fuqimisht rifillimin e punës së komisionit të reformës zgjedhore”, është shprehur ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran. Ai theksoi se nisja sa më shpejt e punës së këtij komisioni është thelbësore, pasi sipas tij ligji aktual zgjedhor ende nuk garanton standardet e nevojshme.
“Ka ende probleme të lidhura me legjislacionin zgjedhor, të cilat, nga këndvështrimi ynë, tregojnë se ligji nuk është ende aty ku duhet të jetë. Ky është një vlerësim dhe një rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR”, nënvizoi Tarran, duke kujtuar se kjo çështje është adresuar në mënyrë të përsëritur në raportet e mëparshme.
Ambasadori i OSBE-së shprehu gjithashtu bindjen se këtë herë mesazhi i ndërkombëtarëve është kuptuar nga aktorët politikë në vend. “Më duket se këtë herë partitë politike i kanë lexuar dhe i kanë marrë seriozisht rekomandimet e ODIHR”, deklaroi ai, duke shtuar se OSBE-ja nuk përfshihet në debatin e brendshëm politik. Megjithatë, sipas Tarran, ekziston një dakordësi e përgjithshme mes forcave politike se ligji zgjedhor ka nevojë për ndryshime.
Në raportin përfundimtar të ODIHR-it, ndër rekomandimet kryesore ishte edhe depolitizimi i administrimit zgjedhor. Konkretisht, kërkohet që komisionerët dhe numëruesit e votave të mos përfaqësojnë më interesa partiake, si dhe të forcohen mekanizmat që ndalojnë përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatave elektorale.
Ndërkohë, komisioni i reformës zgjedhore, i cili bashkëkryesohet nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, ka mbetur i bllokuar që në hapat e parë. Palët nuk arritën as të miratojnë ligjin e parë të parashikuar në planin e punës, atë për financimin e partive politike, një detyrim që Bashkimi Evropian i kishte kërkuar Shqipërisë që në muajin dhjetor.
Kjo situatë rrezikon të shtyjë edhe më tej përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa partnerët ndërkombëtarë vijojnë të apelojnë për dialog politik dhe përgjegjësi institucionale.







