Mbi 75 mijë euro janë mbledhur brenda dy ditësh në platformën GoFundMe për familjen shqiptare Kola, e cila u shua tragjikisht pak ditë më parë në Porcari, në provincën e Luccas në Itali, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit i shkaktuar nga një kaldajë gazi.
Fushata e solidaritetit është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i 48-vjeçarit Arti Kola, një nga viktimat e tragjedisë. Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore, ndërsa shuma që do të mbetet do t’u shërbejë familjarëve të viktimave.
Ngjarja e rëndë i mori jetën Arti Kolës, bashkëshortes së tij Jonida, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijëve të tyre Hadjarit, 22 vjeç, dhe Xhesikës, 15 vjeçe. Të katërt humbën jetën nga monoksidi i karbonit i çliruar nga kaldaja e gazit e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.
Dhjetëra donatorë kanë kontribuar me shuma që variojnë nga 50 deri në 500 euro.
Hetimet
Prokuroria e Luccas ka hapur një hetim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar përgjegjësitë e mundshme. Kaldaja rezulton të ketë qenë e re dhe dyshohet se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.
Pritet rezultati i analizave toksikologjike për katër viktimat, i cili pritet të jetë vendimtar për vijimin e hetimeve. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri, për t’u përcjellë në banesën e fundit, duke i dhënë fund në mënyrën më të dhimbshme historisë së një familjeje që kishte ndërtuar jetën e saj në Itali me punë dhe sakrifica.







