Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, përfshi dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.
Kryebashkiaku Veliaj, bashkëshortja e tij dhe pala e tyre mbrojtëse, nuk kanë qenë të pranishëm në seancën e sotme, pasi pretenojnë se procesi ligjor është shoqëruar me shkleje të rënda. Prezentë në sallë ishin avokatët e caktuar kryesisht.
Kujtojmë se seanca e shkuar u zhvillua mes debatesh. Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, duke pretenduar se nuk iu dha e drejta për t’u mbrojtur efektivisht. Avokatja kryesisht, Valentina Teodoresku, u shpreh se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për t’u njohur me aktet dhe kërkoi shtyrjen e seancës, kërkesë që u rrëzua nga gjykata. Gjyqtarja Etleva Deda kaloi në konkluzionet përfundimtare, duke e konsideruar të ezauruar fazën e mbrojtjes. Pas këtij vendimi, Veliaj u largua nga salla e gjyqit, duke prentenduar se nuk po dëgjoj.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash.
Të pandehur për këtë dosje janë dhe Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erjon Veliajt, si dhe 28 persona e shoqëri.
Ai akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe me disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.







