Ekspozimi i sektorit bankar në borxhin e qeverisë shqiptare u rrit më tej gjatë vitit 2025. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar bankat zotëronin instrumente borxhi të qeverisë shqiptare në vlerën e 625 miliardë lekëve, në rritje me 8.4% krahasuar me një vit më parë.
Pjesën kryesore vazhdojnë të zënë bonot dhe obligacionet në monedhë vendase, që përbëjnë mbi 83% të vlerës totale të ekspozimit te qeveria qendrore.
Në fund të vitit 2025, vlera e portofolit të bonove dhe obligacioneve në Lekë arriti në afërsisht 522 miliardë lekë, në rritje vjetore me 7.8%. Sektori bankar është financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë, me afërsisht 65% të stokut total të tij.
Por, në vitet e fundit po rritet me ritme të larta edhe investimi i sektorit bankar tek titujt e emetuar nga qeveria shqiptare në valutë të huaj. Në fund të 2025, stoku i Eurobondeve në bilancet e sektorit bankar arriti vlerën e më shumë se 103 miliardë lekëve, në rritje me 11.5% krahasuar me një vit më parë.
Megjithëse në vlerë absolute ekspozimi i sektorit bankar në borxhin qeveritar është rritur, pesha e këtyre aseteve në strukturën e bilancit të sektorit ka pësuar një rënie të lehtë në 26.9%, nga 27.1% që kishte qenë në fund të vitit 2024.
Letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbëjnë grupin e dytë më të madh të aktiveve të sektorit bankar, pas kredisë për sektorin privat të ekonomisë. Ky portofol i mundëson sektorit bankar kthime të kënaqshme, përkundrejt një rreziku teknik të ulët. Investimi në bono dhe obligacione ka kërkesa më të ulëta për mbulimin me kapital dhe rrjedhimisht peshon më pak mbi mjaftueshmërinë e kapitali të bankave.
Por, institucionet e specializuara e vlerësojnë ekspozimin shumë të lartë në borxhin e qeverisë shqiptare vlerësohet si një nga rreziqet potenciale sistemike për sektorin bankar në vend.
Megjithëse rreziku i kredisë aktualisht vlerësohet si relativisht i ulët dhe madje Shqipëria ka bërë përmirësime në notën e vlerësimit të borxhit sovran nga agjencitë e specializuara, ekspozimi i lartë në borxhin e qeverisë shqiptare nuk është pa rreziqe, veçanërisht në drejtim të likuiditetit, e lidhur kjo edhe zhvillimin shumë të dobët të tregut dytësor të titujve qeveritarë në vend.
Programi i fundit i plotë Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, në vitin 2013, adresonte si një nga rekomandimet kryesore zvogëlimin e rreziqeve sistemike që rrjedhin nga zotërimet e mëdha të letrave me vlerë qeveritare nga bankat dhe fondet e investimeve dhe zhvillimin e tregut dytësor të titujve, me qëllim për të ulur rreziqet e lidhura me likuiditetin. Ky rekomandim është theksuar në mënyrë të përsëritur edhe në deklaratat e viteve të fundit të FMN për Shqipërinë.
Por, në këtë drejtim, ndryshimet deri më sot nuk kanë qenë shumë të rëndësishme. Letrat me vlerë të qeverisë vazhdojnë të përbëjnë më shumë se një të katërtën e aseteve të sektorit bankar, ndërsa tregu dytësor ngelet i pazhvilluar. / Monitor








