Qeveria ka dërguar në Parlament draftin e ri për “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, projekt i hartuar në kohën kur ministër i Jashtëm ka qenë Igli Hasani.
Drafti parashikon testimin e detyrueshëm për të gjithë diplomatët pas hyrjes së tij në fuqi.
“Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre. Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor. Dispozitat e kësaj pike do të zbatohen brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit”, thuhet në pikën 3 të nenit 68.
Miratimi i këtij projektligji nënkupton edhe shfuqizimin e dy ligjeve të tjera të viteve 1998 dhe 2015 sa i takon shërbimit të jashtëm dhe shërbimeve konsullore.
Ndërkohë neni 48 detajon edhe mënyrën se si do të bëhet verifikimi i sigurisë dhe pastërtisë së figurës së personit diplomatik.
Neni 48
Verifikimi i sigurisë dhe pastërtisë së figurës
- Personeli diplomatik, teknik dhe administrativ në Shërbimin e Jashtëm i nënshtrohet verifikimit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi dhe këtij ligji.
- Përmbushja e kritereve, mbi bazën e të cilave vlerësohet lëshimi i certifikatës së sigurisë së personelit, është kusht për vijimin e marrëdhënies në Shërbimin e Jashtëm.
- Në rast të refuzimit apo revokimit të certifikatës së sigurisë së personelit, punonjësi përjashtohet nga Shërbimi i Jashtëm.
- Procedura e verifikimit të pastërtisë së figurës përcaktohet në rregulloren e Shërbimit të Jashtëm.







