Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e kësaj të hëne ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bruksel, ku u prit në një takim nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Këto janë fotot e para nga pritja që Costa i bëri kryeministrit shqiptar.
Klan News ka mësuar se në fokus të këtij takimi ishte procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Takimi i Presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa me kryeministrin shqiptar Edi Rama do të zhvillohet në mbrëmje. Kjo është një darkë pune, në kontekstin e dialogut politik që po zhvillohet me Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësimin në BE.”, bëri me dije më herët gjatë ditës së sotme, zyra e shtypit e presidentit të Këshillit Evropian për Klan News, përmes një komunikimi me email.
Takimi i sotëm i Ramës me Costa-n konsiderohet si një mundësi për të diskutuar sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit.
Sjellim ndërmend se një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave.
Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.
Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetike për të treguar progresin në reformën në drejtësi.







