Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Palët e pakënaqura paraprakisht patën mundësi që t’iu drejtoheshin Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas Gjykatës Supreme.
Me certifikimin e rezultateve pritet të hapet rruga për hapat e mëtejmë institucionalë drejt konstituimit të Kuvendit.
Procesi i certifikimit vjen pas rinumërimit të plotë të votave të rregullta, për çka u mor vendim pasi u gjetën mospërputhje në votat e kandidatëve për deputetë. Votat për parti nuk u cenuan.
Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, qindra të tjerë janë intervistuar nën dyshimet për manipulim të votave, dhe proceset hetimore e gjyqësore pritet të vazhdojnë.
Nga Prokuroria e Shtetit kanë paralajmëruar se objekt i hetimeve mund të jenë edhe vetë kandidatët për deputetë.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, vjen hapi i radhës, ai i mbajtjes së seancës konstituive.
Kjo seancë duhet të mbahet brenda 30 ditësh dhe duhet të thirret nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.







