Rreth 164 milionë euro janë shpërndarë për Shqipërinë deri më tani nga Instrumenti për Reformë dhe Rritje i BE (RGF), i cili synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të Shqipërisë me atë të BE duke mbështetur investime të caktuara dhe gjurmuar reformat prioritare. Kështu është shprehur Drejtuesja e Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, në një konferencë të organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI Albania).
“Dedikimi politik është shumë i madh për këtë instrument dhe Shqipëria ka rezultate të prekshme. Deri tani janë lëvruar 164 milionë dhe fonde të tjera presin për projekte të tjera, pra Shqipëria është në rrugën e duhur dhe po bën reformë kyçe rreth digjitalizmit, rreth energjisë, zhvillimin e kapitaleve, por njëkohësisht si për çdo instrument të ri ka edhe sfida. Afati kohor është shumë ambicioz, patjetër duhen burime të shumta njerëzore dhe investime. Kemi folur me koordinatorët e reformës kombëtare në mënyrë që të kemi një plan të vazhdueshëm për hapat që duhet të ndërmerren në 2026 dhe 2027, në mënyrë që ky plan të përmirësohet dhe të ketë koordinimin e duhur”, tha Heikkinen.
Deri më tani, nga Agjenda e Reformave është vënë në zbatim Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, Harta e parë e digjitalizimit të sistemit të Kadastrës, Strategjia e Specializimit Inteligjent, Strategjia e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative, zbatimi i rrjetit 5G dhe forcimi i mbrojtjes së infrastrukturës kritike, ndërsa janë miratuar projektet e para të investimit.
“Projektet janë në sektorin e energjisë dhe janë digjitalizimi i sistemit të transmetimit të Shqipërisë, rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës dhe ndërtimi i linjës së transmetimit në dy qarqe. Pas marrjes së vlerësimit pozitiv gjatë procesit të screening janë miratuar në bordin e ËBIF edhe dy projekte me rëndësi për vendin, në sektorin e transportit dhe atë digjital siç janë elektrifikimit i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe projekti për zhvillimin e infrastrukturës rajonale të broadband”, u shpreh Simoni.
Vitin e kaluar, CDI Albania prezantoi edhe Gjurmuesin e Reformave (Reform Tracker), i cili informon dhe monitoron progresin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave dhe investimeve në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave. SCAN







