Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë në mbledhjen e saj, ndryshime të rëndësishme në vendimin për pagat e punonjësve të njësive të vetëqeverisjes vendore (bashkive). Vendimi i ri sjell rritje të kufirit minimal të pagës për punonjësit administrativë dhe aplikon një indeksim të përgjithshëm prej 2.5% për të përballuar inflacionin.
Paga minimale administrative 50.000 lekë
Ndryshimi më i prekshëm është ai i pikës 11 të vendimit të vitit 2023. Sipas VKM-së së re, kufijtë e pagave bazë për punonjësit administrativë të bashkive tashmë janë përcaktuar në fashën: 50.000 – 57.000 lekë në muaj. Kjo shënon një rritje të dyshemesë së pagës për nivelet më të ulëta në administratën lokale.
Kush përfiton nga rritja dhe indeksimi?
Vendimi specifikon se rritja vjen si pasojë e dy faktorëve: politikës së rritjes së pagave dhe indeksimit vjetor.
Rritje + indeksim (2.5%), përfitojnë klasat e pagave III-1 deri në IV-4 (që zakonisht përfshijnë specialistët dhe nivelet ekzekutive të mesme/ulëta) si dhe punonjësit administrative.
Vetëm indeksim (2.5%) përfitojnë klasat e larta drejtuese I-2 deri në II-2 (drejtorë, përgjegjës sektorësh, etj.) dhe kufijtë minimalë/maksimalë të përgjithshëm.
Efektet financiare të këtij vendimi nisin në vitin 2026. Fondet do të mbulohen nga transferta e pakushtëzuar e qeverisjes qendrore (Buxheti i vitit 2026) si dhe nga të ardhurat e veta që mbledhin bashkitë.
Studentët e ekselencës, Qeveria shtyn kontratat e punës, nuk do të largohen nga administrata
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm për qindra studentë të ekselencës që aktualisht janë të punësuar në administratën shtetërore. Qeveria ka vendosur të zgjasë afatin e kontratave të tyre, duke shmangur ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, kjo masë vjen si një “përjashtim për vitin 2026”.
Kush përfiton?
Vendimi specifikon se përfitojnë të gjithë ata studentë ekselence që u punësuan me kontratë të përkohshme 1-vjeçare bazuar në thirrjen publike të dhjetorit 2024.
Duke qenë se mandati i tyre 1-vjeçar po përmbyllet në këtë fillimviti 2026, ekzistonte rreziku që ata të mbeteshin pa punë deri në hapjen e procedurave të reja.
Sa zgjat shtyrja?
Ndryshimi në VKM parashikon që kontrata e tyre të shtyhet automatikisht deri në përfundimin e procedurave të rregullta të punësimit (konkurseve për statusin e nëpunësit civil ose kodit të punës). Kjo do të thotë se studentët do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë dhe të paguhen derisa të finalizohet procesi i rekrutimit të përhershëm.
Departamenti i Administratës Publike (DAP) është ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi për të garantuar vijimësinë e punës në institucione.







