Aktori amerikan James Van Der Beek, i njohur për rolin kryesor në serialin e famshëm për adoleshentë “Dawson’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare, pas një beteje me kancerin e zorrës së trashë.
“Njeriu ynë i dashur, James David Van Der Beek, u nda nga jeta në paqe këtë mëngjes”, thuhet në një deklaratë të familjes së tij, të publikuar në rrjetet sociale. “Ai i përballoi ditët e fundit me guxim, besim dhe dinjitet.”
Aktori u diagnostikua me sëmundjen në gjysmën e dytë të vitit 2023, por lajmin e bëri publik vetëm në nëntor 2024. Ai ishte baba i gjashtë fëmijëve dhe u bë i njohur në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000, me role në seriale dhe filma të suksesshëm, përfshirë “Dawson’s Creek” dhe filmin “Varsity Blues”.
Në një intervistë për Business Insider, Van Der Beek kishte treguar se fillimisht kishte vënë re ndryshime në funksionimin e zorrëve, një simptomë e zakonshme e kancerit kolorektal. Ai kishte ndaluar konsumimin e kafesë për të parë nëse do të kishte përmirësim, përpara se t’i nënshtrohej analizave diagnostikuese.
Rezultatet treguan se ai ishte në stadin e tretë të sëmundjes, çka nënkupton se kanceri ishte përhapur në nyjet limfatike pranë zorrës. Sipas Klinikës Cleveland, kanceri kolorektal zhvillohet nga rritje anormale në shtresën e brendshme të zorrës së trashë dhe mund të përhapet nëse nuk trajtohet në kohë. Kjo formë kanceri prek më shpesh burrat sesa gratë. Rritja e kontrolleve parandaluese ka ndihmuar në zbulimin e hershëm të sëmundjes, duke ulur numrin e viktimave.
Van Der Beek kishte rrëfyer se momenti më i vështirë gjatë trajtimit ishte ndjesia e humbjes së identitetit.
“Të gjitha gjërat e bukura që doja dhe me të cilat e përkufizoja veten si baba, si mbajtës i familjes, si bashkëshort, m’u morën, ose të paktën u pezulluan”, ishte shprehur ai. “M’u desh të pyesja veten: ‘Kush jam unë?’ Dhe përgjigjja ishte: ‘Unë ende e meritoj dashurinë.’”
Pas diagnostikimit, aktori u angazhua për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kontrolleve parandaluese.
“Kam mësuar shumë”, kishte deklaruar ai për Business Insider. “Nëse mund të shpëtoj dikë nga kalimi nëpër këtë përvojë, kjo do të ishte mrekulli.”
Van Der Beek ishte një nga figurat më të njohura të televizionit amerikan në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000, duke interpretuar rolin e Dawson Leery përkrah Katie Holmes në serialin “Dawson’s Creek”, i cili u transmetua nga viti 1998 deri në 2003. Ai luajti gjithashtu në filmin “Varsity Blues” (1999), si dhe në serialin “Don’t Trust the B—- in Apartment 23”, ku interpretoi një version të trilluar të vetes. Më vonë, mori pjesë edhe në sezonin e 28-të të spektaklit “Dancing with the Stars”.
Pavarësisht diagnozës, ai vazhdoi të punonte. Më herët këtë vit, ishte i ftuar në një rol episodik në komedinë universitare “Overcompensating” në platformën Prime Video.
Më 22 shtator, Van Der Beek bëri një paraqitje të papritur virtuale në një aktivitet bamirësie për ribashkimin e kastit të “Dawson’s Creek”, pasi ishte detyruar të anulonte pjesëmarrjen fizike për shkak të dy virozave në stomak.
Në aktivitet morën pjesë aktorë si Michelle Williams, Katie Holmes, Joshua Jackson dhe Busy Philipps, të cilët realizuan një lexim të drejtpërdrejtë të episodit pilot të vitit 1998. Aktori Lin-Manuel Miranda zëvendësoi Van Der Beek gjatë leximit.
Ngjarja mblodhi fonde për organizatën bamirëse F Cancer dhe shërbeu gjithashtu si një homazh për kolegun e tyre. Në një intervistë për ABC News në vitin 2020, Van Der Beek kishte treguar se si fëmijë kishte qenë shumë i turpshëm.
“Asnjëherë nuk kam dashur të bëhem aktor kur isha fëmijë. Doja të bëhesha sportist”, kishte thënë ai.







