Aktori amerikan Bud Cort, i njohur më së shumti për rolin e tij në filmin kult të vitit 1971 “Harold and Maude”, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga miku i tij i ngushtë, shkrimtari dhe producenti Dorian Hannaway, i cili bëri të ditur se aktori u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë.
Bud Cort ishte një aktor me një karrierë të gjatë dhe të larmishme në teatër, film dhe televizion, duke marrë pjesë në më shumë se 80 prodhime artistike gjatë mbi pesë dekadave. Megjithatë, ishte roli i tij si Harold, një i ri i fiksuar pas vdekjes që bie në dashuri me një grua të moshuar plot jetë, Maude (e interpretuar nga Ruth Gordon), që e bëri të pavdekshëm në historinë e kinemasë. Edhe pse në fillim filmi nuk pati sukses të madh komercial apo kritik, me kalimin e viteve ai fitoi statusin e një filmi kult falë humorit të zi, historisë së pazakontë të dashurisë dhe muzikës prekëse të Cat Stevens.

Regjisori Edgar Wright e kujtoi Cort si një person me prani magnetike në ekran, ndërsa regjisori Cameron Crowe e cilësoi filmin si një histori që vazhdon të prekë breza të tërë edhe sot. Roli në “Harold and Maude” i solli Cort nominime për çmime prestigjioze si Golden Globe dhe BAFTA.
I lindur në New Rochelle, Nju Jork, në vitin 1948, Cort tregoi që herët pasion për aktrimin. Ai merrte pjesë në shfaqje shkollore dhe shpesh udhëtonte drejt Manhattan-it për të ndjekur shfaqje në Broadway. Në vitet 1960 u zhvendos në Los Anxhelos për të ndjekur ëndrrën e tij në industrinë e filmit.
Karriera e tij përfshiu role në filma të njohur si “MASH”*, “Brewster McCloud”, “Heat”, “Dogma” dhe “The Life Aquatic with Steve Zissou” të regjisorit Wes Anderson. Ai gjithashtu u shfaq në seriale të njohura televizive si “Arrested Development”, “Ugly Betty” dhe “Criminal Minds”.
Me ndarjen nga jeta të Bud Cort, bota e kinemasë humb një aktor të veçantë, i cili me interpretimin e tij unik dhe ndjeshmërinë artistike la një gjurmë të pashlyeshme në kulturën filmike botërore.







