Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco foli në Mynih. Një gazetar i ZDF, e cilësoi atë si “ujk të veshur me lëkurë deleje”. Rubio ishte më i sjellshëm se J.D. Vance, por çfarë tha konkretisht?
Marco Rubio, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, pritej me padurim në Mynih. Një vit më parë, Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance u kishte thënë evropianëve disa fjalë shumë të pakëndshme nga e njëjta platformë.
Marco Rubio nuk përdori një retorikë të tillë. Ai fillimisht tha: “Fati ynë është i lidhur pazgjidhshmërisht me tuajin”, ose “Evropa mbetet partneri ynë më i ngushtë”. Siç vuri në dukje gazetari i Radios Bavareze (BR) Ralf Borhart, Rubio ishte i butë në gjuhë, por i ashpër në përmbajtje.
Gjithçka ishte paketuar bukur në fjali të këndshme, por filozofia MAGA (Make America Great Again) e republikanëve të Trumpit mbeti shumë qartë e pranishme – fundi i rendit ndërkombëtar shumëpalësh të bazuar në rregulla, migrimi si një kërcënim, interesat kombëtare mbi të gjitha.
Për të, ndryshimi i klimës është një “kult klimatik”. Sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, evropianët do të mbeten partnerë, nëse ndjekin një udhëheqje të tillë nga Shtetet e Bashkuara. Në fakt, Rubio tha të njëjtën gjë si Vance, vetëm në një mënyrë të ndryshme.
Gavin Newsom: “Trump po tërhiqet”
Përveç Rubios, në Mynihështë edhe Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, një kundërshtar i vendosur i Donald Trump. Newsom nuk u përmbajt nga kritikat ndaj Presidentit në një intervistë me DW.
“Donald Trump po tërhiqet. Mendoj se është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë këtë dhe ta formësojnë vetëdijen e tyre në përputhje me rrethanat”, tha Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, për DW në MSC.
Newsom, i cili tashmë shihet nga shumë si kandidati demokrat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, vazhdoi: “Ai po tërhiqet për Groenlandën, dhe kjo ishte e dukshme në ndryshimin e tonit dhe shprehjes së Sekretarit të Shtetit (Rubio).”
Duke folur për situatën më të gjerë politike në SHBA, Newsom tha: “Ai është historikisht jopopullor në SHBA […] Ai është tek e kuqja në çdo kategori kyçe, përfshirë çështjen e tij më të rëndësishme, që është imigracioni. Dhe tani ai është tek e kuqja në sondazhe për këtë çështje. Ai po bëhet gjithnjë e më i dobët. Kur njerëzit përballen me Trump, kur e përballeni në të njëjtën mënyrë, ai tërhiqet.”
Duke folur për stilin e lidershipit të Trump, Newsom tha: “Ai shfrytëzon dobësinë, nuk ka askush më të aftë në shfrytëzimin e dobësisë. Ajo që ai respekton është forca, uniteti dhe bindja. Mendoj se mund ta shihni qartë këtë këtu në Mynih.”
Lidhur me gjendjen e drejtimit politik evropian, Newsom i tha DW: “Bashkimi Evropian është më centrist politikisht sesa ka qenë për njëfarë kohe, sepse e njeh se çfarë është në lojë. Suksesi i Evropës është gjithashtu suksesi i Shteteve të Bashkuara.”
Zelensky nën presion
Presidenti ukrainas Zelensky foli gjithashtu në skenën botërore të Mynihut. Në fjalimin e tij, u ndje se ai dhe Ukraina janë nën presionin amerikan për të bërë lëshime ndaj Rusisë dhe për të zgjidhur çështjen e zgjedhjeve presidenciale: “Amerikanët shpesh kthehen në temën e lëshimeve. Dhe shumë shpesh këto lëshime diskutohen vetëm në kontekstin e Ukrainës, por jo të Rusisë”.
Zelensky përsëriti gjithçka që ka thënë në raste të tilla disa herë – ai falënderoi për ndihmën deri më tani dhe kërkoi më shumë armë vdekjeprurëse, municione për të cilat tha se po i mbaronin. Ai pretendoi se Rusia do të sulmonte vendin tjetër nëse do të mposhtte Ukrainën. Arsyeja – Putini, sipas tij, nuk mund ta ndajë veten nga ideja e luftës. “Ai mund ta shohë veten si një car, por është skllav i luftës”, tha Zelensky.
“Navalny është helmuar”
Edhe jashtë kuadrit zyrtar të konferencës, një ngjarje lidhej me Rusinë, përfaqësuesit e së cilës nuk janë në Mynih. Konkretisht, ministrat e jashtëm të pesë vendeve perëndimore – Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda – njoftuan së bashku se ekspertët, bazuar në mostrat e marra nga mbetjet, kishin përcaktuar se figura e opozitës ruse Alexei Navalny ishte helmuar nga një toksinë e gjetur në bretkosat helmuese të Amerikës së Jugut.
“Eshtrat e tij përmbanin një toksinë nervore veçanërisht të fortë, epibatidinë, e cila është 200 herë më e fuqishme se morfina. Ajo paralizon sistemin e frymëmarrjes dhe muskujt, dhe viktima mbytet në agoni”, tha Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadepful.
Ai shtoi se vetëm autoritetet shtetërore ruse kishin aftësinë, mjetet dhe motivin për ta bërë këtë. E veja e viktimës, Yulia Navalny, ishte gjithashtu në Mynih dhe ka pretenduar për dy vjet se burri i saj është vrarë. “Putin duhet të jetë në burg”, tha Ministrja e Jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard për transmetuesin publik gjerman ARD.
Evropa flet ndryshe
Si kujtesë, evropianët folën një gjuhë të ndryshme në konferencë. Kancelarigjerman Friedrich Merz njoftoi se ushtria gjermane do të bëhej më e forta në kontinent. “Një Evropësovrane është përgjigjja jonë më e mirë për këto kohë”, tha Kancelari gjerman. Edhe Macron madje foli për Evropën si një “fuqi gjeopolitike”. Për momentin, këto janë qëllime të mira, amerikanët kanë lavdëruar në mënyrë të qartë investimet gjermane në sektorin e mbrojtjes.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius akuzoi qeverinë amerikane për sjellje që dëmton NATO-n. Ai përmendi si shembuj vënien në pikëpyetje të integritetit territorial të Groenlandës dhe përjashtimin e aleatëve evropianë nga bisedimet e paqes në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara, sipas politikanit socialdemokrat, “nuk mund të veprojnë vetëm në botën e sotme të fuqive të mëdha gjithnjë e më të fuqishme”. Sipas Pistorius, një aleancë me më shumë se 30 vende të tjera brenda NATO-s e bën gjithashtu SHBA-në “më të fortë”. Megjithatë, aleanca duhet të ketë “kuptim” edhe për Evropën.
Pistorius njoftoi gjithashtu se një kompani e re armësh gjermano-ukrainase po fillon punën për Ukrainën në Gjermani. Projekti i përbashkët i të dy vendeve planifikon të prodhojë mijëra dronë deri në fund të vitit 2026. Sipas Pistorius, bashkëpunimi i sjell avantazhe strategjike Gjermanisë.
Irani është gjithashtu një temë jashtë konferencës
250,000 njerëz u mblodhën në Theresienwiese të Mynihut, ku zakonisht mbahet Oktoberfest, për të protestuar kundër autoriteteve në Teheran. Policia e Mynihut e konfirmoi këtë për ARD. Organizatorët raportuan 100,000 pjesëmarrës. Tubimi ishte paqësor, tha një zëdhënëse e policisë.
Reza Pahlavi u bëri thirrje mbështetësve të tij për një “ditë globale veprimi” me tubime në Los Angeles dhe Toronto, ndër të tjera. Në një konferencë për shtyp në Mynih, djali i ish-shahut persian paralajmëroi: nëse demokracitë nuk bëjnë asgjë, mund të ketë viktima të reja në Iran. Nëse regjimi mbetet në pushtet, “i dërgon një mesazh të qartë çdo tirani: vritni mjaftueshëm njerëz dhe do të qëndroni në pushtet”./DW







