Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale ka miratuar kalendarin e punimeve, duke avancuar me planin që parashikon hartimin e raportit të vlerësimit të situatës aktuale të pushtetit vendor, zhvillimin e konsultimeve në të gjitha bashkitë e vendit, realizimin e një sondazhi publik dhe publikimin e dokumentit politik deri në prill 2026.
Synimi i komisionit është që deri në qershor 2026 projekt-propozimi t’i paraqitet Kuvendi i Shqipërisë për diskutim dhe miratim.
Bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, theksoi se reforma duhet të përfundojë brenda korrikut 2026, në mënyrë që të kapet dritarja e vitit 2027 për zbatimin e saj, në përputhje me rekomandimet e Komisioni i Venecias, i cili sugjeron miratimin e reformave të tilla të paktën një vit para zgjedhjeve.
“Mazhoranca e ka shprehur në mënyrë sistematike vullnetin që ne të kapim vitin 2027. Kjo kërkon që ta mbyllim reformën një vit përpara zgjedhjeve të radhës”, u shpreh Mazniku, duke shtuar se ritmi i punës është vendimtar për të shmangur shtyrjen e reformës përtej vitit 2031.
Ai sqaroi se kalendari është ndërtuar duke ecur mbrapsht nga korriku 2026 dhe se puna do të përfshijë tri faza dëgjesash publike: në terren me qytetarët, me ekspertët dhe pas hartimit të akteve përfundimtare.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i opozitës, Luciano Boçi, mohoi akuzat për sabotim të procesit, duke theksuar se kërkesa për më shumë kohë lidhet me nevojën për një reformë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Sipas tij, produkti final duhet të ketë ndikim për 30–40 vitet e ardhshme dhe të mos përsëritet situata e reformës së vitit 2015, e cila pas një dekade kërkon rishikim.
Boçi kërkoi organizimin e dëgjesave të gjera me banorët e zonave të interesuara dhe propozoi ngritjen e një sekretariati teknik për organizimin e tyre, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent dhe të shmangen konfliktet e interesit.
Kalendari i punimeve u miratua me votat e mazhorancës dhe opozitës, me një shënim se ai mbetet i ndryshueshëm në varësi të kërkesave dhe zhvillimeve gjatë procesit.







