Kryeministria ka rihapur procedurën e aplikimeve për përzgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke ftuar kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore të aplikojnë deri më 11 mars 2026. Thirrja e re vjen pasi Këshilli i Ministrave ka propozuar dy kandidatë për Kuvendin, ndërsa një vend mbetet ende vakant dhe duhet të plotësohet nga ekzekutivi.
Sipas ligjit, aplikantët duhet të kenë arsim të lartë ekonomik ose juridik, përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare, si dhe mbi pesë vite eksperiencë në administratën publike ose në institucione financiare.
Procesi i përzgjedhjes po zhvillohet në një situatë të pazakontë për bankën qendrore, pasi në dhjetor 2025 përfunduan mandatet shtatëvjeçare të gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Si pasojë, prej afro dy muajsh institucioni nuk ka kuorum për të zhvilluar mbledhje dhe për të marrë vendime. Dy mbledhje të planifikuara në janar dhe shkurt dështuan, ndërsa në shkurt pritej të miratohej raporti i Politikës Monetare për tremujorin e parë dhe të merrej vendimi për normat bazë të interesit.
Më 6 shkurt, Këshilli i Ministrave i propozoi Kuvendi i Shqipërisë emrat e Ervin Mete dhe Jonida Prifti si kandidatë për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Ndërkohë, për tre vendet që propozohen nga Kuvendi, mazhoranca ka vendosur të mbështesë kandidaturat e Selami Xhepa, Holta Zaçaj dhe Matilda Shehu.
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi: pesë propozohen nga vetë Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një nga vetë Këshilli Mbikëqyrës. Mungesa e anëtarëve të rinj ka paralizuar përkohësisht vendimmarrjen në institucionin më të lartë të politikës monetare në vend.
Rihapja e aplikimeve synon të përmbyllë procesin e plotësimit të vakancave dhe të rikthejë funksionimin normal të Këshillit Mbikëqyrës, në një moment kyç për stabilitetin financiar dhe zhvillimet në tregun bankar.







