Armand Duka do të vijojë të mbajë postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi u rizgjodh si president në Punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore.
Ky do të jetë mandati i shtatë radhazi për Dukën, i cili nuk kishte kundërshtarë përballë, ndërsa, e mban këtë funksion drejtues që prej vitit 2002.
Procesi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku delegatët vlerësuan lidershipin, vizionin dhe kontributin e Presidentit Duka në zhvillimin e futbollit në vend, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ dhe institucional.
Ai u propozua nga 33 anëtarë të FSHF-së të cilët kanë vlerësuar se gjatë drejtimit të tij, futbolli shqiptar ka njohur suksese të rëndësishme.
Ndër sukseset kryesore të përmendura janë dy kualifikimet historike të Kombëtares shqiptare në Kampionatin Evropian. Procesi i votimit u zhvillua sipas rregullores statutore në prani të delegatëve të klubeve dhe shoqatave të futbollit.
Me këtë konfirmim, struktura drejtuese e futbollit në Shqipëri ruan vazhdimësinë për ciklin e ardhshëm katërvjeçar.
Tashmë, fokusi i presidencës së re do të jetë zbatimi i projekteve të radhës për zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së futbollit vendas.
Presidenti Armand Duka, falënderoi anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore për besimin e dhënë dhe rizgjedhjen e tij në krye të FSHF-së.
Në fjalën e tij, Presidenti Duka e cilësoi rikonfirmimin si një vlerësim të madh, por mbi të gjitha si një përgjegjësi për të vijuar punën në shërbim të futbollit shqiptar dhe komunitetit të tij.
“Dua t’ju falënderoj edhe njëherë nga zemra për mbështetjen e sotme, për mbështetjen e vazhdueshme që më keni dhënë mua dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Për mua ky nuk është thjesht një votim, është një përgjegjësi e madhe, vlerësim dhe më bën, apo më detyron që të jem akoma më i përkushtuar në shërbim tuaj dhe të FSHF.
Ju premtoj që ne do të bëjmë maksimumin që federata jonë, loja dhe futbolli ynë, kampionati, ekipet tona kombëtare, zhvillimi i infrastrukturës dhe stabiliteti financiar i FSHF-së të jenë në nivelet maksimale në vitet e ardhshme. Uroj që të gjithë ne bashkë të jemi pjesë e Kampionatit Botëror 2026. Suksese Silvinjos, ekipit kombëtar. Faleminderit të gjithëve”, deklaroi Duka.
sambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF-së mbylli procesin e votimit për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komitetit Ekzekutiv për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Përmes një procesi votimi të fshehtë, delegatët kanë përzgjedhur 10 emrat që do të jenë pjesë e këtij organi vendimmarrës.
Anëtarët e zgjedhur janë: Anila Basha, Armando Cungu, Blendi Fevziu, Edmond Hasanbelli, Envi Hicka, Erind Resuli, Geri Çipi, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu dhe Pano Xhixho.

Këta anëtarë do të bashkëpunojnë ngushtë me Presidentin e rizgjedhur, Armand Duka, i cili mori besimin për një mandat të shtatë radhazi. Komiteti Ekzekutiv ka si funksion kryesor hartimin dhe miratimin e politikave zhvillimore të futbollit në vend.
Ky grup drejtues do të ketë përgjegjësinë e mbikëqyrjes së projekteve infrastrukturore dhe rregullatore për periudhën 2026-2030.







