Agjencia Shtetërore e Kadastrës informon qytetarët që kanë përfituar legalizimin e objektit, se tashmë mund të bëhen pronarë të plotë të pasurisë së tyre, duke bashkuar ndërtesën dhe truallin në një certifikatë të vetme pronësie.
Sipas njoftimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ky veprim garanton siguri juridike të plotë dhe rrit vlerën ligjore dhe ekonomike të pasurisë.
Konkretisht bëhet fjalë për përfituesit e parcelës ndërtimore sipas VKM nr. 96, datë 11.02.2026. Lista e përfituesve është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ndërsa për lehtësi të qytetarëve, gjendet e aksesueshme edhe në faqen zyrtare të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Kadastra sqaron dhe vijimin e procedurës. “Qytetarët mund të dërgojnë një kërkesë në adresën elektronike: [email protected], duke bashkëngjitur: Emrin dhe mbiemrin; Adresën e banimit dhe numrin e kontaktit; Vendimin e legalizimit ose certifikatën e pronësisë (nëse disponohet).
“Pas verifikimit të dokumentacionit, fatura për blerjen e parcelës ndërtimore do të dërgohet në hapësirën personale “Dokumentat e Mia” në llogarinë përkatëse në e-Albania.
“Menjëherë pas kryerjes së pagesës, qytetari mund të aplikojë për procedurën e bashkimit të pasurive “ndërtesë dhe truall”, duke u pajisur me një certifikatë të vetme pronësie. Ky proces përfaqëson një tjetër hap konkret drejt përmbylljes së plotë të proceseve të legalizimit dhe garantimit të sigurisë juridike mbi pronën”, përfundon njoftimi.
Listën e plotë emërore e shikoni në linkun më poshtë:
Perfituesit-e-Parceles-Ndertimore-sipas-VKM-nr.-96-dt.-11.02.2026







