Prezantohet drejtori i ri i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot drejtorin e ri të Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa, ndërsa ndau edhe vlerësime për ish-drejtoreshën Linda Karçanaj.
Rama theksoi se kishte zgjedhur të ishte personalisht i pranishëm në prezantim, jo vetëm për të prezantuar drejtuesin e ri, por edhe për të falënderuar Karçanajn për kontributin e saj ndër vite. Ai u shpreh i keqardhur për situatën që ajo po kalon, duke dënuar sulmet dhe akuzat publike ndaj saj.
“Jam i pikëlluar për gjithçka po kalon Linda. E njoh prej dy dekadash dhe kam parë nga afër përkushtimin e saj në administratën publike. Jam i bindur se drejtësia do të bëjë punën e saj,” tha Kryeministri, duke shtuar se prezumimi i pafajësisë duhet të mbetet parim themelor.
Ai nënvizoi se, pavarësisht hetimeve në zhvillim, puna e AKSHI-t duhet të vijojë normalisht, duke e cilësuar institucionin si një nga shtyllat kryesore të revolucionit digjital në vend.
Gjatë fjalës së tij, Rama paralajmëroi edhe një ndërhyrje ligjore për rritjen e ndjeshme të pagave për punonjësit e AKSHI-t. Sipas tij, qëllimi është të vlerësohet profesionalizmi i stafit dhe të shmanget largimi i specialistëve drejt sektorit privat. “AKSHI do të ketë pagat më të larta në Shqipëri dhe do të jetë konkurruese me çdo kompani private,” u shpreh ai.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi rolin strategjik të AKSHI-t në modernizimin e administratës publike. Ajo vlerësoi arritjet në digjitalizimin e shërbimeve dhe pozicionimin e Shqipërisë mes vendeve me nivel të avancuar të ofrimit të shërbimeve elektronike.
Ministrja theksoi se prioritet për periudhën 2025–2026 do të jetë zhvillimi i platformës e-Albania 2.0 dhe shtrirja e saj në pushtetin vendor, si dhe modernizimi i sistemit të prokurimeve publike për të rritur transparencën dhe efikasitetin.
Sipas saj, transformimi digjital është një reformë thelbësore që përmirëson cilësinë e shërbimeve, ul kostot administrative dhe forcon besimin e qytetarëve te institucionet.







