Në kuadër të 106-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, Shoqata Tirana “Nderi i Kombit” organizoi aktivitetin tradicional “Sofra Tiranase”, një mbrëmje që ndërthur artin pamor me muzikën qytetare dhe trashëgiminë kulturore të kryeqytetit.
Aktiviteti u hap me një ekspozitë pikture, ku u prezantuan punime të artistëve tiranas, mes tyre edhe vepra të mjeshtrit Ibrahim Kodra, duke sjellë për publikun motive dhe ngjyra që pasqyrojnë historinë dhe identitetin e Tiranës.
I pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, i cili theksoi si prioritet plotësimin e Muzeut Historik të Tiranës. Ai garantoi se, në bashkëpunim me bashkinë, një banesë autoktone tiranase do të shndërrohet në Muzeun Historik të qytetit, në shërbim të ruajtjes së memories dhe traditës.
“Do ti japim vëmëndje të madhe historisë së Tiranës, pjesë e turizmit kulturor ku puna e parë është që ndërtesa e Toptanëve është lënë për tu bërë Muzeu Historik Kombëtar”, u shpreh Shkëlqim Hajdari.
Pas ekspozitës, skena iu dedikua koncertit tradicional “Sofra Tiranase”, ku artistë të njohur sollën këngë qytetare plot emocion, duke krijuar një atmosferë festive dhe duke bashkuar breza në një festë të përbashkët.
I kthyer tashmë në traditë, ky aktivitet jo vetëm përkujton një moment të rëndësishëm historik, por forcon lidhjen mes artit, kulturës dhe komunitetit, duke ushqyer krenarinë për identitetin e kryeqytetit.







