Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla në fjalën e mbajtur në konferencën për media për prezantimin e skemës së re kombëtare për mbështetjen ndaj bujqësisë, bëri me dije se kjo skemë me një fond total prej 5.2 miliardë lekësh, synon të mbështesë formalizimin e fermerëve dhe investimet në sektorin prioritar të bujqësisë dhe blegtorisë.
Ai theksoi se mbështetja përfshin pagesa direkte për fermerët dhe mundësi për të përfituar nga fondet e BE-së, në kuadër të programit IPARD.
“Presim të hapim thirrjet e reja për pak ditë pasi të kryejmë paketën e re, do kalojmë në një nga proceset që 10 % i tyre që kemi akredituar këtë vit, që të gjithë fermerët janë duke numëruar faturat për të orientuar tregun e për të qenë pjesë e këtij procesi.
Përveç përfitimit që do kemi në paketën 5.2 mld lekë në financimin e drejtpërdrejtë të tyre, është dhe mundësi që çdo faturim i tyre të kaloj në 10% të faturës ku ne do i kalojmë në llogaritë e tyre”, tha Ministri Salla.
Ai sqaroi se një risi e rëndësishme e skemës është për të rinjtë dhe të rejat nga 18 deri në 35 vjeç, ndërsa shtoi se ata që hapin një biznes në blegtori mund të përfitojnë grante nga 7,000 deri në 10,000 euro.
“Unë dua të them që kemi diskutuar për të vendosur për të rinjtë dhe të rejat nga 18 vjeç deri në 35 vjeç, mundësinë që ne t’i japim nga 7 deri në 10.000 euro, po e shikojmë me financat për të diskutuar mbështetjen financiare për të përllogaritur çdo të rinj dhe të reja që hap një biznes kryesisht në blegtori, të jetë pjesë e mbështetjes tonë. Pra ne duhet të fusim rolin e të rinjve dhe të rejave të jenë pjesë e këtij sistemi të rëndësishëm për ne që të mbështesim këtë sektor të cilit ne duhet që ta rrisim dhe të rinjtë e të reja të jenë pjesë e kësaj pakete, që në do ta vendosim në formë granti”, bëri me dije ministri.
Ai gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim me fermerët për kontrollin e ushqimit të kafshëve dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimeve, duke theksuar se mbështetja e përbashkët do të ndihmojë në rritjen e cilësisë dhe konsolidimin e sektorit bujqësor në vend.
Duke u ndalur te siguria ushqimore Salla bëri me dije gjithashtu urdhrin e ri të agronomit që do mbulojë gjithë sektorin e bujqësisë.
“Do lidhen kontrata me agronomin, që të kemi gjurmueshmëri të sigurisë ushqimore”, njoftoi Salla.
Ai theksoi se qeveria do vendosë një paketë prej 70% për serat me mbrojtje biologjike, duke e konsideruar si një mundësi shumë të mirë për fermerët dhe mbrojtjen ushqimore.
“70% për serat me mbrojtje biologjike. Një nga mënyrat më të mira që kemi në Shqipëri që të orientojmë fermerët për të qenë pjesë e kësaj pakete”, tha ai.
Në përfundim të fjalës, Salla njoftoi nisjen e ndërtimit për 7 laboratorë të rinj me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.
“Jemi duke bërë dhe formatimin e pjesës së stafit të AKU dhe sektorëve të tjerë në mënyrë që të përafrojmë të gjithë strukturat me qasjen që do kemi në raport me sigurinë ushqimore. Brenda pak ditësh fillojmë nga ndërtimi i laboratorëve”, deklaroi ministri Salla.







