HomeKryesore"Shqipëria ka privilegjin të jetë pjesë e Bordit të Paqes", Rama ngre...

“Shqipëria ka privilegjin të jetë pjesë e Bordit të Paqes”, Rama ngre shqetësimin për pretencën ndaj ish-luftëtarëve të UÇK: Zoti Trump, bëni diçka!

Advertismentspot_img

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij të mbajtur sot në 19 shkurt, në Bordin e Paqes, deklaroi se beson se Zoti do ta bekojë këtë Bord, pasi puna e tij është vetëm për të sjellë paqe për miliona njerëz që vuajnë pasojat e luftrave shkatërrimtare.

Rama ceku një problematikë jo të vogël, duke përmendur edhe Gjykatën e Hagës, e cila ka kërkuar 45 vite burg për ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se Gjykata Speciale në Hagë është e dështuar, në rastin e pretencës ndaj çlirimtarëve. Kreu i qeverisë shqiptare i bëri thirrje presidentit Donald Trump që të bëjë diçka, përpara se të ndodhë diçka e keqe. Ai u shpreh se Thaçi është arrestuar nga prokurori që ka përndjekur kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Gjithashtu, Rama deklaroi se Shqipëria do të kontribuojë për të sjellë paqen në Gaza, duke dërguar trupa në terren, në rajonin e shkatërruar nga lufta.

“Faleminderit zoti president për ftesën, që të jemi pjesë e këtij eventi. Si shtet themelues i kësaj organizate. Flitet se ky Bord paqeje do zëvendësonte Kombet e Bashkuara, por shpresoj Zoti do ta bekojë Bordin e Paqes. Ne e vlerësojmë rolin tuaj zoti President për rolin tuaj për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Ky Bord duhet që të sjellë për fëmijët në Gaza paqe, nga lufta e shkaktuar nga Hamasi. Humaniteti duhet të fitojë në këtë rajon. Bota mund të krijojë në Lindjen e Mesme një oaz paqeje. Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj.

Vetëm javën e kaluar, zoti president, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh e tatim paguesit e tij kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës. Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu që u ngrit nga rezistenca ndaj spastrimit etnik për t’u bërë paqebërës dhe një rezultati shkatërrimtar në një gjykatë që deri më tani ka dështuar në çdo hap të vetin t’ju përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike.

Për hir të Zotit zoti president le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish. Edhe njëherë faleminderit shumë që përfshihet Shqipërinë në këtë nismë fisnike duke sjellë miq, duke qenë miq të afërt me Izraelin dhe me vendet arabe. Shpresojmë fort jemi një vlerë e shtuar e vizionit tuaj të jashtëzakonshëm“, deklaroi Rama.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes në Uashington

Faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi, z. President.

Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë përsa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese e kësaj organizate të re.

 Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.

 Z. President,

 Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj.

 Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti  publik të dedikuar për fëmijët palestinezë.

Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë,  jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë dhe arkitektët e tyre në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve.

Shqipëria do të ishte e privilegjuar të bëhej pjesë e këtij vargu. Më lejoni shumë shkurtimisht t’ju tërheq vëmendjen te një tjetër konflikt i hapur ,më pranë vendit tim, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.

Presidenti i Kosovës, që, asokohe, u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje, në praninë e presidentit Trump dhe në fakt kjo ishte çfarë u bë nga ai prokuror sikar që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht.

Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykate e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme dhe këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare.

 Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh  e tatimpaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës.

Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu, i cili u ngrit nga qëndresa ndaj  spastrimit etnik për t’u shndërruar në një paqebërës dhe një rezultati shkatërrimtar nga një gjykatë që deri tani ka dështuar, në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike.

Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.

Edhe njëherë, ju falënderoj që përfshitë Shqipërinë në këtë nismë fisnike. Duke qenë  miq të afërt me Izraelin dhe vendet arabe, shpresojmë fort të jemi një vlerë e shtuar e vizonit tuaj të jashtëzakonshëm.

Kujtojmë se Gjykata e Hagës ka kërkuar 45 vite burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte, ndërsa secili prej tyre ka mohuar kategorikisht akuzat. Vendimi final për ta do të jepet pas 90 ditësh.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular