Hysni Gucati: Besojmë se gjykata do të jetë e drejtë dhe lideret e UÇK-së do të fitojnë lirinë
Veteranët e Luftës paralajmërojnë veprime të tjera në mbrojtje të ish krerëve të UÇK. Kështu shprehet kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, pak ditë pas protestës së zhvilluar në Prishtinë, më 17 shkurt.
“Shoqata e të dalëve nga lufta, tri shoqatat nuk do të rrinë duarkryq. Do të bisedojmë me veteran, me shoqëri civili dhe me të gjithë dhe do të ulemi shumë shpejt për hapat”, u shpreh Hysni Gucati, kryetari i OVL të UÇK-së.
Ai vlerëson fjalimet e katër liderëve, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duke thënë se kanë deklaruar realitetin e Kosovës.
“Kush më mirë se ata di ta mbrojë Kosovën, ushtrinë, njerëzit e vet, kombin e vet, kush di më mirë se ata. Nuk di të them se cili nga fjalimet ka qenë më i mirë se tjetri, se cili ka diskutuar më fort se tjetri, secili ka treguar realitetin dhe argumentat e veta të forta, që i dhanë për Kosovën”, pohoi Gucati.
Lëshon sërish akuza për prokurorët e dhomave të specializuara.
“Prokuroria ka gjykuar nga fillimi deri në fund, deri të mërkurën, ka gënjyer, ka shpifur, ka marrë njerëz të infiltruar që kanë qenë bashkëpuntorë të Serbisë, këtë lloj metode ka përdorur për të gjunjëzuar apo për të nxjerrë UÇK si organizatë kriminale”, tha ndër të tjera Gucati.
Prokuroria Speciale kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, ndërsa pasi dëgjoi deklaratat përfundimtare, tashmë gjykata ka 90 ditë kohë për të dhënë vendimin.







