Të paktën 606 persona që po përpiqeshin të arrinin në Evropë në kërkim të azilit janë raportuar të vdekur ose të zhdukur në Detin Mesdhe që nga fillimi i vitit 2026, duke shënuar fillimin më vdekjeprurës të një viti në më shumë se një dekadë, njofton Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM).
Në këtë shifër përfshihen të paktën 30 persona që dyshohet se humbën jetën pasi varka e tyre u përmbys pranë brigjeve të Greqisë. Autoritetet shpëtuan 20 persona, mes tyre katër të mitur, dhe nxorën trupat e pajetë të tre burrave dhe një gruaje. Varka ishte nisur nga Tobruku, në Libi, më 19 shkurt dhe u përmbys rreth 37 km në jug të Kretës.
“ONM kërkon shtimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit në Mesdheun qendror për të shpëtuar jetë dhe për të garantuar zbarkim të sigurt, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në deklaratën e agjencisë.
Në Itali, trupat e 15 personave që besohet të jenë mbytur gjatë kalimeve të rrezikshme nga Afrika e Veriut në janar janë nxjerrë në brigjet e Kalabrisë dhe Siçilisë. Ipeshkvijtë kritikuan politikat e migracionit, duke i quajtur mbytjet rezultat të “zgjedhjeve politike çnjerëzore”.
Qeveria italiane, nën drejtimin e kryeministres Giorgia Meloni, ka miratuar një projektligj që autorizon bllokada detare për të ndaluar mbërritjen e varkave gjatë periudhave të presionit të jashtëzakonshëm, në kuadër të masave të ashpra ndaj migracionit të parregullt.
Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, 66 mijë e 296 persona mbërritën me varka në brigjet italiane gjatë vitit 2025, rreth gjysma e shifrës së vitit 2023, kur Italia forcoi marrëveshjet me Libinë dhe Tunizinë për të kufizuar mbërritjet.







