Kryeministri Albin Kurti nuk e ka thënë të prerë nëse e përkrahin Vjosa Osmanin për presidente ose jo, por ka thekson se nuk mund të mbledhin nënshkrime për asnjë emër pa siguruar 66 vota, madje ai shton se më e mira do ishte me 80 vota pro.
““E falënderova edhe për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, sepse natyrisht vetëm me ne si shumicë nuk do të kalonin. Tash kemi një sfidë tjetër, sepse sërish na duhen dy të tretat për çështjen e presidentit. Në njërën anë, ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit si LVV me ndonjë emër të përveçëm që kemi thënë se do të jetë kandidati ynë. LVV nuk ka ndonjë anëtar me librezë partie që synon të bëhet president. Por njësoj vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha dhe tradicionale, PDK dhe LDK.U konfirmua edhe nga takimi i mbrëmshëm që kisha me kryetarin e PDK Bedri Hamzën dhe sot me kryetarin e LDK Lumir Abdixhikun. Ne si parti politike nuk kemi pasur kandidatë nga radhët tona. Andaj në vijim ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve të tillë që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke përzgjedhur një emër të përveçshëm në fletëvotim që hedhin në kuti, me së largu deri më 4 mars. Ose është tjetra që subjektet politike merren vesh me njëra-tjetrën për rrugën përpara. I kemi 66, si shumicë, pra 57 plus 9, por 80 është larg, nuk është 5 por 14, dhe 14 me kusht që nuk mungon asnjë; aty vetëm njëri nëse mungon, shkojmë në zgjedhje të reja. Na duhet një shumicë që i afrohet 85, kjo do të thotë që nuk është situatë e lehte. Ne vijim do ti intensifikojmë bisedimet që të kemi një zhidhje për çështjen e presidentit”, tha ai pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kurti tha se edhe opozita konsideron që ky vit nuk duhet të përballemi me zgjedhje të reja.
“Përshtypja është se subjektet politike konsiderojnë që, pas atyre katër palë zgjedhjeve që patëm – dy lokale në dy raunde dhe dy parlamentare – nuk do të duhej që në vitin 2026, në vitin e parë, të na marrin zgjedhjet e reja. Qytetarët kanë votuar dhe zgjedhur më shpesh se kurdoherë më parë në vitin 2025. Me fjalë të tjera, do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet”, tha ai.
Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se u diskutua për dy rrugë për çështjen e presidentit.
“Ishte një takim ndërpartiak, ku diskutuam çështjen e ardhshme të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm dhe jo vetëm. Folëm për gjithë politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, çështje të sigurisë dhe çështje me interes të përbashkët. E falënderova për përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në buxhetin shtetëror. U zotuam për çështje të marrëveshjeve ndërkombëtare në interes të Republikës së Kosovës, por në përgjithësi folëm për çështjen e rëndësishme të presidentit dhe afatit kushtetues që po na rrjedh; janë nëntë ditë deri te zgjedhja. Dakordimi i përgjithshëm është se janë vetëm dy rrugë përpara: ose konsensus politik mes faktorëve të vendit, dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto nëntë ditë të ardhshme, ose një marrëveshje klasike politike mes partive për çështjen e presidentit. Në të dyja rastet duhen dy të tretat e votave. Mbetëm të takohemi në ditët në vazhdim”, tha ai.







