Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar kërkesën për sigurim padie të bërë nga aktorja Anila Bisha, lidhur me përdorimin e imazhit të saj nga ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale “Diella”.
Në këtë sigurim padie, aktorja Anila Bisha kërkonte pezullimin e përdorimit të imazhit të saj, deri në përfundim të procesit gjyqësor nga Gjykata Administrative, por kjo kërkesë është hedhur poshtë, çka do të thotë se imazhi i Diellës do të vazhdojë i njëjtë.
Aktorja në padinë e saj kërkon gjithashtu dëmshpërblim prej 1 milionë euro për prishje imazhi.
Në dokumentin dorëzuar në Gjykatën Administrative Anila Bisha thotë, se imazhi i Ministres Diella është realizuar “pa marrë asnjë miratim paraprak të aktores për përdorimin e të dhënave, madje dhe pa e vënë atë në dijeni”.
Anila Bisha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën për sigurim padie të aktores për pezullimin e ministres virtuale “Diella” që ka zërin dhe imazhin e saj.
Pala paditëse pretendoi se kontrata ishte vetëm për asistente virtuale, por ajo është shkelur. Tashmë pritet që çështja të kalojë në seancë themeli ku aktorja kërkon dëmshpërblim 1 milion euro për prishje imazhi.
Në një reagim për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Bisha është shprehur se nëse nuk do ia dalë me gjykatat shqiptare, do e çojë çështjen deri në Strasburg.
Kjo pasi Bisha pretendon se i janë marrë të drejtat personale për ministren Diella, pa asnjë kontratë.
“Ky është vendimi i gjykatave shqiptare! Mua më përdorën të drejtat personale për ministre pa asnjë kontratë dhe gjykata këtë nuk e merr fare parasysh. Por unë do të vazhdoj padinë time më tej. Nëse nuk ja dal me gjykatat tona, absolutisht çështjen do e çoj në Strasburg!”, thuhet në reagimin e aktores Anila Bisha për ‘Studio Live’ në Report TV







