Erion Veliaj, kreu i Bashkisë së Tiranës, do të vazhdojë të qëndrojë në burg pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi sot (24 shkurt) kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë. Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimimit të Veliajt kundër masës “arrest me burg” të vendosur më herët nga gjykata e shkallës së parë.
Apeli i Posaçëm vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm të gjykatës së shkallës së parë, duke refuzuar zëvendësimin e arrestit me masë më të butë si garanci pasurore.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Nertina Kosova, sot më datë 24.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 68 akti, datë 17.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.V: “Ankim kundër vendimit nr. 118, datë 01.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, me një masë sigurimi më të butë si “Garancia pasurore”, parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale ose “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale”, si vijon:
– Miratimin e vendimit nr. 118, datë 01.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, sot më datë 24.02.2026”, thuhet në vendim.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash.
Të pandehur për këtë dosje janë dhe Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erjon Veliajt, si dhe 28 persona e shoqëri. Ai akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe me disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.







