Nga rruga e re provizore, tek studimet në terren mbi gjeologjinë e deri tek mënyra si do të veprohet me qarkullimin. Ishin këto disa nga pikat e konferencës së përbashkët të disa institucioneve në vend lidhur me rrëshqitjen masive në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, që ka paralizuar Juglindjen e vendit prej disa ditësh.
Ami Kozeli, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, tha se: “Ditën e enjte, datë 19 shkurt, u konstatua një rrëshqitje që preku trupin e rrugës dhe urën në këtë aks. U kufizua qarkullimi me një korsi dhe nisi vlerësimi i terrenit, si dhe u kryen shpime me sonda. Reshjet e shiut e rënduan situatën.” Ai shtoi se të shtunën në mëngjes: “Rrëshqitja kishte avancuar me 30 cm të këmbës së urës. Nga ky moment u orientua qarkullimi në akset alternative. Pavarësisht masave, rrëshqitja përshkallëzoi te bypass-i provizor duke na detyruar shpalljen e bllokimit të plotë.”
Kozeli bëri të ditur se: “Pas situatës u vendos ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit deri në stabilizimin e rrëshqitjes. Koordinimi me hekurudhën dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia e Burimeve Ujore për realizimin e kësaj rruge. Prishja e urës ekzistuese tashmë jashtë funksioni dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës së rrëshqitur deri në krijimin e një skarpate natyrore deri në ndërhyrje. Sa i takon urave, është vendosur sistemimi dhe disiplinimi i ujërave përreth rrëshqitjes, devijimi i rrjedhës së ujit që godet trupin e hekurudhës. Aksi Librazhd–Prrenjas ka rëndësi strategjike dhe kthimi i saj do të bëhet vetëm pasi të jetë krijuar siguri për funksionimin e tij.”
Ergys Verdho, Drejtor i Hekurudhës Shqiptare, raportoi për situatën në hekurudhën pranë zonës së rrëshqitjes, duke thënë se: “Segmenti hekurudhor Elbasan–Pogradec ndodhet në këtë fazë të dytë të projektit të detajuar me grantin e WBIF. Monitorohet nga vrojtuesit e linjës që bëjnë raport, por nuk është në funksion. Në kilometrin 103.700 kemi pasur problematika të shtuara ku do shtoja se masivi i asaj zone, jo rruga apo hekurudha, është aktivizuar 30 vjet më parë.” Ai theksoi se shirat e katër muajve të fundit dhe rritja e lumit Shkumbin “bëri të mundur planin e rrëshqitjes” dhe shtoi se: “Strukturat tona janë në terren dhe konsulentët tanë të përhershëm janë prezent për të zgjidhur problematikën. Do të marrim masa për krijimin e rrugës permanente dhe masa për mobilizimin e ujërave në atë shpat duke bërë prita.”
Ardian Bulyku, Drejtor i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, theksoi rëndësinë e analizës shkencore, duke thënë se: “Sot ekipet, pavarësisht punës që ka nisur që ditën e shtunë, kanë bërë matjet dhe monitorimin fillestar duke vazhduar më pas me analizën e fakteve. Zona për të cilën bëhet fjalë është Arrat e Gurrës; në gjeologji përbëhet nga shkëmbinj copëzorë inerte, apo të njohur si mollasa. Kanë tendencën që në rastet e reshjeve të shumta të akumulojnë sasi të madhe uji, siç kanë dhe pjesën e drenimit.” Ai shtoi se sasia e reshjeve “ka qenë 3-fishi i mesatares së dy viteve pararendëse. Kjo ka krijuar një hinkë dhe mbingopje dhe ka sjellë cedim të gjithë strukturës dhe elementëve të infrastrukturës që ndodhen në të. Shërbimi gjeologjik po merret me studimin e thelluar dhe do paraqesë rekomandimet për 400–500 metra shpime lineare dhe kryerjen e një sërë analizash fiziko-mekanike.”
Besnik Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, deklaroi se për të mos penguar qarkullimin e mallrave është vendosur përdorimi i zonave doganore kufitare. Ai tha se: “Në Bllatë për mallrat që hyjnë nga Maqedonia e Veriut apo vende të tjera përmes saj, dhe Kakavijë për mallra që hyjnë nga Greqia apo vende të tjera përmes saj. Janë marrë masa për logjistikën dhe personelin që të kryhen procedurat doganore sa më shpejt. Nga ana e DPD janë marrë kontaktet me homologët në Maqedoninë e Veriut dhe është gjetur mirëkuptimi i plotë nga ana e tyre në ndihmë për zgjidhjen. Pala maqedonase do të mundësojë nga pika e Bllatës kalimin e kamionëve ose trajlerëve të ngarkuar nga nesër ora 12 deri në orën 22 për çdo ditë në vijim, kamionët e pangarkuar në çdo orë.”
Beja njoftoi gjithashtu kufizimet për produkte ushqimore dhe karburante: “Këtu ju lutem vini re që në këtë pikë doganore nuk lejohet kalimi i produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe botet e naftës. Këto duhet të kalojnë përmes Kosovës. Për ata kamionë që kanë kaluar në Shqipëri por s’kanë kryer procedurat, duhet të dalin sërish përmes Qafë Thanës dhe të kalojnë përmes Qafë Bllatës. DPD do të lajmërojë për çdo lehtësi. Arrat e Gurrës në Dragostunjë ka pasur përshkallëzim të rrëshqitjes që ka sjellë dëmtim të infrastrukturës dhe bllokim të qarkullimit.”







