Komisioni i Prokurimit Publik i kërkoi Fondit Shqiptar të Zhvillimit që të anulonte procedurën me fond limit 540 milionë lekë apo rreth 5.5 milionë euro që ka në fokus përmirësimin estetik të bregdetit të Durrësit.
Autoriteti Kontraktor pasi zbatoi këtë kërkesë në sistemin e prokurimeve duket se tashmë i është dhënë miratimi që të vazhdojë me hapat e radhës që konsistojnë në rishpalljen e procedurës nga e para.
Tenderi me objekt kontrate “Investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rrugë tregtare në zona model zhvillimi. Faza III Rajonet 1&2:Ndërhyrje për rritjen e ofertës turistike dhe për përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit, Bashkia Durrës” u zhvillua në dhjetor 2025.
Pranë KPP ankesa në atë kohë u kategorizua e lidhur me vlerësimin që është bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për procedurën e hapur në 4 dhjetor dhe i mbyllur në 22 dhjetor 2025.
Ndërhyrja në Durrës
FSHZH parashikon të ndërhyjë në Durrës duke nisur nga rivelimi i një sipërfaqeje rreth 544 mijë m2, e cila përfshin zonën nga porti i Durrësit deri tek Kavalishenca.
“Ky projekt ka për qëllim të transformojë zonën bregdetare të qytetit të Durrësit në një destinacion bashkëkohor turistik, rekreativ dhe urban, përmes ndërhyrjeve arkitekturore dhe urbane të planifikuara me kujdes.
Ai përfshin zgjerimin e plazhit ekzistues, krijimin e një parku linear të gjelbër përgjatë vijës bregdetare, zhvillimin e hapësirave publike shumë funksionale dhe integrimin e infrastrukturave të reja rekreative he sportive.
Gjatësia e zonës së ndërhyrjes është rreth 2.8 km, me një zgjerim të vijës bregdetare deri në 100 metra drejt detit, duke krijuar hapësira të reja publike për banorët dhe vizitorë”, thuhet në dokument./Monitor







