Një studim i ri i Bankës Botërore mbi financat publike të Shqipërisë ngre shqetësime të forta për mënyrën si përdoren fondet publike, duke theksuar se vendi përballet me kosto të larta në sektorin e transportit dhe me probleme serioze në cilësinë e projekteve infrastrukturore.
Raporti “Albania Public Finance Review 2025” analizon shpenzimet publike dhe vlerëson se përmirësimi i cilësisë së investimeve, sidomos në transport, është thelbësor për rritjen ekonomike dhe për afrimin me Bashkimin Europian.
Sipas raportit, Shqipëria ka bërë investime të konsiderueshme në infrastrukturë, duke çuar gati 6% t ë PBB-së për investime publike, por rrjeti i transportit vazhdon të vuajë nga probleme të mëdha. Rrugët karakterizohen nga gjendje e dobët, mbingarkesë trafiku dhe ndotje, ndërsa transporti hekurudhor dhe ai detar mbeten të penguar nga infrastruktura e vjetruar.
Banka Botërore thekson se eliminimi i jo-efikasitetit në investimet infrastrukturore mund të rrisë ndjeshëm cilësinë e përgjithshme të infrastrukturës në vend. Në mënyrë konkrete, përmirësimi i efikasitetit të shpenzimeve në energji dhe transport mund të rrisë indeksin e infrastrukturës me deri në 18.6%.
Kjo do të përmirësonte konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe cilësinë e shërbimeve publike, duke ulur kostot për bizneset dhe qytetarët.
Raporti paralajmëron se rreziqet fiskale në Shqipëri lidhen edhe me detyrimet nga ndërmarrjet shtetërore dhe partneritetet publike-private (PPP), veçanërisht në sektorët e energjisë dhe transportit.
Efikasiteti i dobët i investimeve publike mbetet një shqetësim i vazhdueshëm, duke rritur presionin mbi financat publike dhe duke kufizuar efektin e investimeve në rritjen ekonomike.
Ekspertët vlerësojnë se përmirësimi i transparencës dhe menaxhimit të projekteve infrastrukturore është thelbësor për të shmangur rritjen e borxhit dhe për të siguruar që investimet të japin rezultatet e pritshme.
Një tjetër problem i madh lidhet me ndikimin e ndryshimeve klimatike. Sektori i transportit dhe energjisë konsiderohet shumë i ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike, ndërsa financimi për menaxhimin e fatkeqësive dhe mbrojtjen e mjedisit mbetet i pamjaftueshëm.
Për t’u afruar me standardet rajonale, Shqipërisë do t’i duhet të rrisë shpenzimet për klimën dhe mjedisin me 0.4–0.9% të PBB-së.
Banka Botërore rekomandon që Shqipëria të fokusohet në përmirësimin e përzgjedhjes së projekteve infrastrukturore, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve, forcimin e institucioneve dhe monitorimit të investimeve.
Sipas raportit, pa rritjen e cilësisë së investimeve dhe pa projekte më të përgatitura, shpenzimet e larta në transport rrezikojnë të mos japin efektin e pritur në zhvillimin ekonomik.
Studimi thekson se Shqipëria nuk ka problem vetëm nivelin e investimeve në transport, por mbi të gjitha cilësinë dhe efikasitetin e tyre. Përmirësimi i menaxhimit të projekteve dhe rritja e transparencës konsiderohen vendimtare për rritjen ekonomike dhe afrimin me BE-në. /Monitor







