Marrëdhënia e Bill Gates me rusen Mila Antonova, rikthehet në qendër të vëmendjes pas pranimit publik të vetë Gates për lidhje jashtëmartesore gjatë martesës së tij.
Çështja merr një peshë të veçantë për shkak të përfshirjes së Jeffrey Epstein, i cili i kishte ofruar mbështetje financiare Antonovës, duke shtuar pikëpyetjet mbi rrjetin e marrëdhënieve personale dhe profesionale që rrethonin financierin e dënuar për krime seksuale.
Bashkëthemeluesi miliarder i Microsoft bëri një pranim të papritur gjatë një takimi të fundit me punonjës të Gates Foundation, duke u përpjekur, sipas një raportimi të The Wall Street Journal, të distancohej nga miqësia e tij me Epstein, të cilën ish-bashkëshortja e tij, Melinda Gates, e ka lidhur në masë të madhe me shpërbërjen e martesës së tyre.
“Kam pasur lidhje jashtëmartesore, një me një lojtare ruse bridzhi dhe një me një fizikante bërthamore ruse”, mësohet të ketë deklaruar Gates në atë takim, duke sqaruar se nuk ka bërë dhe as ka parë asgjë “të paligjshme” në lidhje me veprimtarinë e Epstein-it – i cili tashmë ka ndërruar jetë.
Marrëdhënia me Mila Antonovën dhe lidhjet me Epstein
Zërat për marrëdhënien e Gates me Mila Antonovën kishin qarkulluar që nga zbulimet për kontaktet e saj me Epstein, të përfshira në dokumente të çështjes.
Gates ishte 53 vjeç kur u fotografua për herë të parë me Antonovën, atëherë rreth 20 vjeçe, në një turne kombëtar bridzhi në Uashington. Ajo kishte deklaruar me humor në një fjalim në Nju Jork se “nuk e munda, por u përpoqa ta godisja me shkelm nën tavolinë”, duke lënë të kuptohej se prej vitesh kishte dashur ta njihte nga afër. Nuk dihet as kur nisi dhe as sa zgjati marrëdhënia e tyre.
Në vitin 2013, një bashkëpunëtor i ngushtë dhe këshilltar i Gates, Boris Nikolic, e prezantoi atë me Epstein-in, i cili në atë kohë ishte dënuar tashmë për vepra që lidhen me shfrytëzim seksual të të miturve. Antonova ishte në kërkim të financimit për të krijuar një platformë të sajën online për mësimin e bridzit.
Sipas deklarimeve të saj për The Wall Street Journal në vitin 2023, Epstein mbuloi tarifat e shkollimit për pjesëmarrjen e saj në një program programimi.
“Ai pranoi të paguante dhe pagoi drejtpërdrejt shkollën. Nuk pati asnjë shkëmbim. Nuk e di pse e bëri. Kur e pyeta, tha se ishte i pasur dhe donte të ndihmonte njerëzit kur mundej”, kishte thënë ajo, duke shtuar se në atë kohë nuk kishte dijeni për të kaluarën e tij kriminale. “Nuk kisha asnjë ide që ishte kriminel apo se kishte ndonjë qëllim të fshehtë. Ndihem e neveritur nga Epstein dhe nga ato që ka bërë.”
Kërcënimet dhe email-et e vitit 2017
Pavarësisht pretendimeve të Epstein për altruizëm, zhvillimet sugjerojnë se motivet e tij mund të kenë qenë shumë më të errëta. Një përfaqësues i Gates kishte deklaruar më herët se Jeffrey Epstein “u përpoq pa sukses të shfrytëzonte një marrëdhënie të vjetër për të kërcënuar zotin Gates”, duke mohuar çdo lloj lëshimi financiar nga ana e miliarderit.
Në një email të korrikut 2017, të bërë publik nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Epstein pretendonte se i kishte dërguar para Antonovës kur ajo përballej me vështirësi ekonomike, duke e cilësuar Gates si “koprrac” për mënyrën se si, sipas tij, sillej ndaj ish-partneres.
Në një mesazh drejtuar Nikolic-it, ai shkruante ndër të tjera: “Miku yt Bill është i çmendur. Ish-e dashura e tij nuk mund të paguajë për kondicionerin, nuk mund të udhëtojë për bridxh. Njeriu më i pasur në botë është aq koprrac sa ish-i i tij po fle në divanet e miqve.”
Nikolic deklaroi gjithashtu në vitin 2023 se pendohet për njohjen me Epstein-in: “Pendohem thellësisht që e kam njohur. Krimet e tij ishin të tmerrshme. Nuk pashë kurrë asgjë që të nënkuptonte sjelljen e tij të paligjshme. Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre.”
Qëndrimi i Melinda Gates
Melinda Gates, bashkëthemeluese e fondacionit dhe nëna e tre fëmijëve të tyre tashmë të rritur, nuk ka komentuar publikisht pranimin e fundit të ish-bashkëshortit të saj. Megjithatë, në një intervistë të mëparshme për NPR, ajo kishte pranuar sa e vështirë ishte për të sa herë që dilnin në dritë detaje të reja.
“Për mua është personalisht e vështirë sa herë që dalin këto detaje, sepse rikthejnë kujtime nga momente shumë, shumë të dhimbshme në martesën time”, ishte shprehur ajo, duke shtuar: “Çdo pyetje që mbetet është për ata njerëz dhe për ish-bashkëshortin tim. Ata duhet të përgjigjen, jo unë.”
Vetë Gates ka shprehur disa herë pendesë për marrëdhënien e tij me Epstein-in, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë përfshirje në aktivitetet e tij të paligjshme.
“Për të qenë i qartë, unë kurrë nuk kam kaluar kohë as me viktimat e tij dhe as me gratë përreth tij”, mësohet të ketë theksuar ai në takimin e së martës.







