Nga Eduard Zaloshnja
Në 13 vjetët e fundit kam zhvilluar 126 sondazhe elektronikë, ku e shpërndaj linkun e pyetësorit me SMS krejt të rastësishme anekënd vendit. Dhe marrësit e pyetësorit e plotësojnë atë në mënyrë krejtësisht anonime.
Kuptohet që nuk ua dërgoj linket e pyetësorëve njëherazi të gjithë pjesëmarrësve të sondazheve të mia elektronike – përdor një sistem rrotacioni nga sondazhi në sondazh, për ta shpërndarë koston e dërgesave periodike të SMS-ve.
Sidoqoftë, për herë të parë dje, u dërgova një link me SMS njëherazi të gjithëve (pothuaj 20 mijë banorëve të rastësishëm të rritur të vendit, me karakteristika të ndryshme demografike, gjeografike, arsimore, e politike; dhe si rrjedhojë, realizova një sondazh me marzh gabimi statistikor vetëm +/-1%).
Pyetja kryesore në pyetësor ishte: “Për kë keni aktualisht opinionin Më pozitiv, Ramën, Berishën, apo asnjërin nga të dy?”
40% u përgjigjën se opinionin Më pozitiv ndër dy politikanët kryesorë e kanë për Ramën, dhe vetëm 19.2% për Berishën. Ndërsa plot 40.8% deklaruan se nuk kanë opinion pozitiv për asnjë nga të dy (shihni grafikun 1).
Duke i përkthyer statistikisht përqindjet e mësipërme në numra të popullsisë së rritur, simpatizantët e Ramës më rezultuan 760 mijë, të Berishës 365 mijë, dhe të asnjërit prej të dyve 775 mijë (shihni grafikun 2).
SHËNIM: Sipas sondazhit tim të parafundit, për PS-në ishin gati të votonin rreth 700 mijë, për PD-ASHM rreth 380 mijë, për të tjerat rreth 75 mijë, dhe rreth 745 mijë për asnjë parti. Më 11 maj 2025, rreth 760 mijë zgjedhës brenda vendit votuan për PS-në, rreth 500 mijë për PD-ASHM, rreth 200 mijë për partitë e tjera, dhe rreth 440 mijë nuk votuan fare.









