HomeRajoniHartues i Kushtetutës, zbulohet emri i kandidatit të parë për president të...

Hartues i Kushtetutës, zbulohet emri i kandidatit të parë për president të Kosovës

Advertismentspot_img

Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për të garuar për president

Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për të garuar për president të Kosovës, duke pretenduar se i plotëson kushtet e një kandidati konsensual, në një kohë kur vendi duhe të nxitojë për ta zgjedhur presidentin e ri.

Kuvendi i Kosovës ka kohë vetëm deri më 4 mars për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmanit, i përfundon mandati në prill. Bajrami e kërkoi mbështetjen e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dhe të partive opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një shkrimi në Facebook të enjten.

Ai tha se është i gatshëm të bëhet president duke qenë në dispozicion të institucioneve, të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si kandidat konsensual. “Me bindje se i plotësoj kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë konsensuale në funksion të unitetit politik dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkroi Bajrami.

Bajrami – i cili është ndër hartuesit e Kushtetutës së vendit – duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve për të garuar, ndërsa dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për t’u zgjedhur.

Nuk është e qartë nëse ai do ta gëzonte një mbështetje të tillë.

Bajrami u largua nga politika më 2019, kur dha dorëheqje nga PDK-ja pas rreth dy dekadave në shërbim të kësaj partie. Deri tani vetëm PDK-ja nga partitë politike ka thënë se mund të vijë me një kandidat, por nuk ka zbuluar emër, ndërsa presidentja Osmani e ka bërë të qartë se kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar.

Ndërsa, anëtarë të familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, e kanë mohuar se kanë qëllim për të garuar për president, pasi ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha të mërkurën se, nëse do të vinte një emër nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.

Mungesa e një marrëveshjeje mes partive parlamentare dhe paqartësia nëse Osmani do ta fitojë mbështetjen e nevojshme për t’i rizgjedhur, kanë bërë që vendi të rrezikojë të futet në një krizë të re. Dështimi për ta zgjedhur presidentin e vendit para 4 marsit do të nxiste zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të dytë brenda muajsh.

Kosova u përball me krizë politike e institucionale tërë vitin 2025, që i kushtuan me mungesë fondesh ndërkombëtare e vonesa në kalimin e buxhetit për vitin e ri fiskal.

Bajrami e arsyetoi vetofrimin si kandidat për president duke u bazuar “në përvojën time shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga viti 1990, përfshirë rezistencën institucionale, ndërtimin e rendit kushtetues dhe proceset vendimtare të tranzicionit politik”.

Ai shtoi se veprimtaria e tij politike, juridike dhe institucionale, si dhe përvoja në negociatat ndërkombëtare për lirinë e Kosovës në Rambuje më 1999 dhe për pavarësinë e saj në procesin e bisedimeve të Vjenës, e bëjnë atë po ashtu kandidat të duhur për president.

Gjatë karrierës së tij rreth 20-vjeçare në politikë, Bajrami shërbeu si ministër i Administratës Publike nga vitit 2008 deri më 2010, si ministër i Arsimit nga viti 2014 deri në vitin 2017, si dhe si deputet në tri legjislatura të ndryshme.

Ai është gjithashtu anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, asaj të Shqipërisë, si dhe i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve./Rel/

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular