Kryeministri Edi Rama do të takojë dot në orën 11:00 Presidentin Bajram Begaj. Takimi do të zhvillohet te Pallati i Brigadave dhe shefi i qeverisë do t’i propozojë Begajt 7 ndryshimet në qeveri.
Begaj ka 7 ditë kohë të dekretojë shkarkimin dhe emërimin e emrave të rinj të qeverisë Rama, më pas ndryshimet paraqiten për votëbesim në Kuvend (ku duhen 71 vota). Pas votëbesimit ministrat e rinj betohen te Presidenti Begaj për të marrë detyrën.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama shkarkoi Belinda Ballukun, për të cilën SPAK kërkon arrestimin. Për zëvendësimin e Ballukut, kryeministrit ju desh të gjente dy emra. Albana Koçiun, si numër dy të qeverisë dhe Enea Karakaçin, vartës Ballukut, të cilit i besoi Energjinë dhe infrastrukturën, një nga dikasteret më të rëndësishëm,
Karakaçi, së fundmi drejtor i OSHEE-së ka mbajtur disa pozicione në ministrinë e energjisë dhe infrastrukturës.
Veç Karakacit të “infrastrukturës”, ndryshime pësoi dhe Mbrojtja. Pirro Vëngu u shkarkua pa bërë 2 vite në krye të kësaj ministrie për tja lënë vendin Ermal Nufit, deri disa muaj më parë në kabinetin e Belinda Ballukut.
Surprizë ishte shkarkimi i Elisa Spiropalit 5 muaj pasi e emëroi në krye të ministrisë së jashtme. Në vend të saj një diplomat karriere si Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB e BE.
7 ndryshimet në Qeveri
Albana Koçiu zv.kryeministre – zëvendëson Belinda Ballukun
Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës – zëvendëson Belinda Ballukun
Besfort Lamallari ministër i Brendshëm – zëvendëson Albana Koçiun
Toni Gogu ministër Drejtësie – zëvendëson Besfort Lamallarin
Ferit Hoxha ministër i Jashtëm – zëvendëson Elisa Spiropalin
Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes – ikën Pirro Vengu
Eriona Ismaili ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin – zëvendëson Toni Gogun







