HomeSocialeKomisioni i Ligjeve i jep zgjidhje financiare 6,761 mësuesve dhe edukatorëve

Komisioni i Ligjeve i jep zgjidhje financiare 6,761 mësuesve dhe edukatorëve

Advertismentspot_img

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, i drejtuar nga kryetari Ulsi Manja, ka miratuar dy projektligje me ndikim të drejtpërdrejtë në arsim dhe në sektorin e transportit rrugor. Në mbledhjen ku u aprovua edhe programi i punës për marsin 2026, fokusi kryesor ishte te korrigjimi i padrejtësive financiare për mësuesit dhe harmonizimi i legjislacionit rrugor me standardet e Bashkimit Evropian.

Korrigjim financiar për mijëra arsimtarë

Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar”, i propozuar nga deputetja Evis Kushi dhe i diskutuar me përfaqësues të sindikatave, synon të zgjidhë problematikën e krijuar pas përshtatjes me sistemin e Bolonjës.

Ndryshimet ligjore të viteve 2023–2024 sollën ekuivalentimin e diplomave të mëparshme me ciklin “Bachelor”, çka ndikoi negativisht në shtesën e kualifikimit në pagë për një pjesë të mësuesve. Me draftin e ri, rikthehet trajtimi i mëparshëm financiar për të gjithë ata që janë punësuar para 1 marsit 2017, si edhe për mësuesit që zotërojnë “Master Profesional” me 60 ose 90 kredite.

Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo ndërhyrje do të përfitojnë 6,761 punonjës të sistemit arsimor parauniversitar.

Gjatë shqyrtimit, komisioni miratoi edhe dy amendamente shtesë: rregullimin e shërbimit pas-shkollor (after-school) dhe zgjatjen e qëndrimit në shkollat e specializuara për nxënësit me aftësi ndryshe.

Ndryshime në Kodin Rrugor sipas standardeve të BE-së

Komisioni miratoi gjithashtu projektligjin për ndryshime në Kodin Rrugor, të prezantuar nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj. Drafti synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Direktivën Evropiane 96/53/BE.

Këto ndryshime përcaktojnë standarde të njëjta me vendet e Bashkimit Evropian për peshat dhe përmasat maksimale të mjeteve të transportit, si në trafikun e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Synimi kryesor është forcimi i sigurisë rrugore, mbrojtja e infrastrukturës nga dëmtimet që shkaktohen nga mbingarkesa, si dhe lehtësimi i qarkullimit të mallrave në kuadër të integrimit evropian.

Në rendin e ditës ishte parashikuar edhe shqyrtimi i projektligjit për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, por për shkak të nevojës për analizë më të thelluar, diskutimi i tij u shty për një mbledhje të ardhshme gjatë muajit mars.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular