Këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama mblodhi deputetët e qarkut të Tiranës në selinë e Partisë Socialiste. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të bashkisë së kryeqytetit.
Sakaq, sjellim ndërmend se vetëm një ditë më parë u mblodh Kryesia e Partisë Socialiste, me kërkesë të kryeministrit Rama, ku u diskutua mbi zgjedhjet brenda partisë si dhe zhvillimet e fundit të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe pasojat ekonomike që mund të sjellë te ne.
Në këtë mbledhje e cila zgjati vetëm 30 minuta, kryeministri Rama lajmëroi hapjen e fushatës për zgjedhje në Partinë Socialiste, të cilat mund të zhvillohen në periudhën qershor-korrik, por ende nuk ka një datë të saktë.
Në këtë mbledhje, ku ka folur vetëm kryeministri, ai u ka kërkuar socialistëve të nisin një dialog me bazën. Në bashki të caktuara sipas tij, duhet fokus edhe më i qartë, një dialog që do konkludojë më pas edhe në zgjedhjet për strukturat e partisë.
Tre ishin porositë kryesore të kryeministrit:
1- të shtrijmë dialogun me bazën dhe të përqendrohemi në bashki të caktuara.
2-të forcojmë bashkëpunimin me bazën socialiste.
3- të jemi të përgatitur për çdo pasojë ekonomike që mund të prodhojë lufta në Lindjen e Mesme.
Ditën e sotme në Partinë Socialiste do të mbahet një takim me drejtuesit e njësive administrative të Tiranës. Burimet bëjnë me dije se mbledhja do të zhvillohet në orën 09:00.
Ndërkohë, ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me deputetët e qarkut të Tiranës. Mësohet se ai u ka kërkuar përfaqësuesve të dalin më shpesh në terren për të takuar qytetarët, si dhe të forcojnë organizimin e brendshëm.
Deputetët dhe ish-deputetët do të duhet të koordinohen me Bashkinë e Tiranës për evidentimin e problematikave, të cilat më pas do të raportohen në mbledhjet përkatëse.







