Kryeministri Edi Rama, promovoi librin “Në Sofrën e Hënës”, një përmbledhje e fjalëve dhe reflektimeve të Kryeministrit gjatë mbrëmjeve tradicionale të iftarit të organizuara ndër vite.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë bëri të ditur se së bashku me Fondacionin “Konak”, po bashkëpunohet për muzeun e Islamit, tek ish-Sarajet e Toptanëve pranë qendrës së Tiranës.
Sipas Ramës, në të njëjtën zonë po planifikohet edhe ndërtimi i Muzeut “Besa”, që do t’i kushtohet marrëdhënieve historike të shqiptarëve me hebrenjtë.
“Ka qenë kënaqësi dhe me thënë të drejtën jam ndjerë i përkëdhelur nga fati i detyrës që m’u dha mundësia të njoh profesor Besnikun. Besniku është një njeri që sigurisht e ndjek fenë islame, por në të njëjtën kohë e ligjëron në Universitetin e Tübingen. Jemi njohur përmes punës së një fondacioni shumë të bukur që është themeluar në Shqipëri, që quhet “Konak”. Janë një grup që bëjnë përpjekje për të koleksionuar artefakte të kulturës islame dhe bashkërisht kemi dhe një projekt shumë të bukur. Është ideja e tyre, por projekti është i përbashkët për të ngritur edhe muzeun e artit islam në Shqipëri.
“Ne nuk e kemi një muze të tillë për fat të keq. Të gjitha vendet që kanë kulturë islame në organizmin e tyre kanë një muze të tillë, por dhe vende që nuk kanë një kulturë të mirëfilltë islame bashkëkohore, por mund t’i kenë në të shkuarën rrënjë të kulturës islame, kanë muze të tillë dhe ne jemi duke punuar për projektin dhe do të jetë shumë bukur sepse do të ngrihet tek ish-Sarajet e famshme të Toptanëve, pranë Kalasë së Tiranës dhe ngjitur me Parlamentin dhe njëkohësisht po në atë oaz do të ngrohet dhe muzeu tjetër i quajtur Muzeu “Besa”, që do t’i bëjë jehonë marrëdhënies sonë me hebrenjtë dhe që do të sjellë në jetën tonë kulturën bashkëkohore hebraike. Kështu që në njëfarë mënyre plotësohet një mozaik”, u shpreh Rama.
Libri “Në Sofrën e Hënës” sjell në vëmendje dimensionin kulturor, social dhe shpirtëror të tryezës së iftarit, si një hapësirë që bashkon njerëz nga besime dhe përvoja të ndryshme, përtej dallimeve që mund t’i ndajnë në jetën e përditshme.
Vepra është me pasthënien e profesorit të Universitetit të Tubingenit, Besnik Sinani si dhe me parathënie të ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.







