Për vitin e pestë radhazi, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e rikthyer në funksionin e botueses periodike, publikon studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit.
Me këtë rast DPA fton studiuesit, ekspertët e arkivave të trojeve shqiptare dhe të mbarë rajonit, si edhe çdo të interesuar të bashkësisë shkencore, për të marrë pjesë në botimet e vitit 2027.
Po ashtu, pjesë e publikimeve të përvitshme janë edhe udhëzuesit mbi metodologjinë arkivore në hapësirën kombëtare.
Me synimin për të dhënë një kontribut në historiografinë shqiptare, DPA-ja propozon tematika që përkojnë me përvjetorët e ndodhive historike, me lindjen dhe me vdekjen e disa prej emrave më të angazhuar në veprimtarinë publike.
Mes tematikave të dedikuara botimeve të këtij viti, sugjerojmë trajtimin e jubilarëve të rëndësishëm, sikurse janë: 90-vjetori i vdekjes së Vehbi Agollit; 90-vjetori i vdekjes së Ndre Mjedës; 95-vjetori i vdekjes së Iljaz Vrionit; 110-vjetori i vdekjes së Dom Nikollë Kaçorrit; 85-vjetori i vdekjes së Faik Konicës; 150-vjetori i themelimit të Komitetit të Stambollit.
Po ashtu, në materialet e mundshme për botim përfshihen punimet monografike të lidhura me historikun e arkivave, sfidat dhe problematikat e tyre në Shqipëri e më gjerë; botimet e dokumenteve në gjuhë të rralla (osmanisht, greqisht dhe latinisht); botimet e akteve ligjore dhe nënligjore për punën me dokumentet arkivore; inventarët, katalogët dhe treguesit e punës kërkimore në arkiva.
Për të aplikuar në këtë thirrje, të interesuarit duhet t’i drejtohen adresës botime.arkiva.gov.al, për të depozituar kërkesën e tyre për pjesëmarrje dhe projektpropozimin e botimit të parashikuar.
Çdo punim i paraqitur nuk duhet të kapërcejë kufirin prej 400.000 shkronjash dhe shenjash, ose të 10 fletëve tipografike. Thirrja për pjesëmarrje do të qëndrojë e hapur deri më datën 1 maj 2026.







