Kuvendi ka nisur këtë të enjte (5 mars) me një minutë heshtje në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si edhe dhe për të nderuar kujtimin e ish-deputetit Tomor Dosti, i cili u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare.
Epopeja e UÇK-së shënon 28-vjetorin e saj. Ajo përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme dhe dramatike në historinë e Kosovës, duke simbolizuar qëndresën heroike të popullit shqiptar përballë shtypjes dhe agresionit serb.
Kujtojmë se sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.
Kjo ngjarje e rëndë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 ngriti çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore, dhe vazhdon të jetë një kujtim i lavdishëm për historinë e kombit.







