DR. ALBERT GJOKA
Një reflektim disi ndryshe në Ditën Botërore të Shkrimtarëve në kohën e krizës së vlerave njerëzore dhe afrimit tek tjetri përmes empatisë që na jep leximi
Po, po. Ç’na duhen? Pse të harxhojmë lekë me librat e tyre? Ja, ua blemë, – po pse të harxhojmë kohë me romanet e tyre? Përralla! Këto gjëra i dëgjon rëndom kudo, teksa sheh me keqardhje që “fiction-i” po “konsumohet” gjithnjë e më pak. Një prej aftësive më zanafillore dhe më thelbësore të sojit tonë për të trilluar ka filluar të zbehet dhe të humbasë fuqinë për të ndikuar tek njerëzit. Akti i të lexuarit po bëhet gjithnjë e më i vështirë tek specia njerëzore, sidomos tek ata që nuk jetojnë në mjedise librore apo tek shtresat me të ardhura të ulëta. Teknologjia e ka dhënë goditjen e vet në shkurajimin e njerëzve për të lexuar, në pafuqinë për t’u përqendruar deri tek 4-5 faqet e para të librit, në gjetjen e zgjidhjeve të shpejta dhe në sistematizimin apo automatizimin e njohurive njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, shumëkush pyet pa drojë se për çfarë na duhen shkrimtarët sot?!
Në një ditë të tillë, si data 3 mars, – Dita Botërore e Shkrimtarëve, – në një moment kujtese për aftësinë më magjike të llojit njerëzor për të rrëfyer; për të prodhuar fantazi dhe për të ruajtur përvoja në kohë dhe hapësirë, – ne duhet të flasim. Dhe, jo vetëm rrëfimtarët apo filologët: Duhet të flasim të gjithë për shkrimtarin, për librin dhe për leximin. Ashtu siç sot flasim për dhunën, për trafikun e qenieve njerëzore, për përdorimin e drogës, për racizmin, ksenofobinë, etj., nesër do të duhet të flasim për leximin si aktin më konjitiv të mendjes njerëzore. Sepse nesër nuk do të jemi në gjendje të mendojmë, nuk do të kemi fuqinë të arsyetojmë dhe nuk do të jetojmë në botën e ideve. Tragjedia e një qyteti apo shoqërie vjen nga fakti se idetë nuk ekzistojnë më dhe njerëzit nuk kanë aftësinë të ndërveprojnë me njëri-tjetrin përmes mendimit. Ashtu siç e kanë paralajmëruar edhe shumë autorë të tjerë distopikë si: Yevgeny Zamyatin, Aldous Huxley, Ray Bradbury, George Orwell, Jorge Luis Borges dhe magjistarë të tjerë të rrëfimit, “apokalipsi fictional” po ndodh: Inteligjenca Artificiale po e përshpejton në ritmet më të shpejta të mundshme. Ne njerëzit po i dorëzohemi johumanes pa kusht dhe së shpejti rrezikojmë të mos kemi aftësinë thellësisht njerëzore për të trilluar. Në këtë situatë, të flasësh për domosdoshmërinë e shkrimtarit, për urgjencën e leximit dhe për mbrojtjen e librit është gjëja më e mirë që mund të bëjë një bashkësi njerëzish të përgjegjshëm ndaj vetes, të tjerëve dhe të ardhmes së llojit tonë. Debati duhet të shkojë në thelb, tek Statusi i krijuesit. Pushteteve nuk iu ka pëlqyer asnjëherë fuqia krijuese e shkrimtarit, por përmes tyre, ata kuptojnë më mirë, reflektojnë dhe ndikojnë që kjo shoqëri të bëhet më e mirë dhe veta ata po ashtu.
Presidenti amerikan Barack Obama kishte krijuar një rit në Shtëpinë e Bardhë, duke ftuar një herë në vit 4 shkrimtarë në një darkë zyrtare. Shtetari mendjelexuar e shpjegonte një gjë të tillë me faktin se kjo ftesë vinte si nevojë për të kuptuar më mirë se çfarë ndodh realisht në shoqërinë amerikane nga perspektiva e rrëfimtarit. E solla këtë shembull – largqoftë që ndonjë burrë shteti në vendin tonë ta vendosë në protokoll një gjë të tillë, – por për të thënë se sot, më shumë se kurrë, – kemi nevojë për të përftuar përvojën që na vjen nga leximi i veprës, – sidomos të autorëve me të cilët ndajmë bashkëkohësinë. Ky është kushti i parë për të kuptuar mjedisin që na rrethon: Leximi i shkrimtarëve shqiptarë, sidomos bashkëkohësve. Ata janë “lupa” më e mirë e këtij realiteti, janë “psikologët” e karaktereve të shoqërisë tonë, janë “doktorët” e shërimit kolektiv, janë “arkitektët” e së tashmes dhe së ardhmes mendore dhe shpirtërore.
Ata janë pasqyra më e mirë ku ne mund ta njohim veten tonë dhe ta “redaktojmë” atë; Krijuesi është dëshmia më e mirë e autenticitetit të individit dhe fuqisë së tij në raport me botën. Nuk janë të tepërta këto që po them, – por të gjithë dakordësohen sot me idenë se procesi i të lexuarit është akti më bazik që ne të përftojmë empatinë njerëzore. Njerëzit janë tëhuajëzuar në raport me tjetrin, – që nga më të afërmit, me miqtë, kolegët, anëtarët e bashkësisë tonë, bashkatdhetarët tanë, – për arsyen e thjeshtë sepse nuk kanë aftësinë për të kuptuar tjetrin, nuk kanë mjetet për të shkuar tek tjetri. Shoqëria e palexuar humbet fuqinë për të ndërtuar përkatësinë dhe për të mbrojtur vlerat që sjell përkatësia e të qenit prind, bashkëshort, vëlla apo motër, sipërmarrës, udhëheqës, e kështu me radhë.
Rrugëtimi drejt tjetrit do të shkatërrohet nëse do të humbasim aftësinë për të lexuar sepse leximi është ilaçi më i mirë për të shëruar sëmundjet që na ndajnë si njerëz me identitete të përbashkëta. Për këtë arsye, sot dhe çdo ditë duhet të flasim për Statusin e shkrimtarit, si specia profesionale që ka marrë përsipër për të përtërirë aftësinë tonë për të trilluar; si krijuesi që ka fuqinë për të shkuar përtej kutisë së të menduarit njerëzor dhe si magjistari që prodhon botë të tjera përtej të zakonshmes. Nga këtu fillon respekti për këta individë të përzgjedhur, – jo për këdo shkarravitës apo manipulator, por për çdo alkimist të fjalës që na bën të kuptojmë më mirë botën që na rrethon, na afron me tjetrin, na bën më të mirë brenda vetes dhe e bën shoqërinë tonë më të lirë me fuqinë e vargut apo fjalisë në libra.
Ky status sot ka rënë, sepse ka rënë fuqia e dijes dhe njohurisë njerëzore si vlerë përkarshi brutalitetit të parasë dhe muskujve si pushtete të patundshme dhe të pazhbëshme. Në një shoqëri të palexuar prodhohen lehtësisht autokraturat, në një mjedis që nuk e respekton fuqinë e krijimit prodhohen monstruozitetet njerëzore. Nga një njeri që nuk ka aftësinë për të menduar dhe për të gjykuar mund të presim çdo lloj veprimi apo mendimi. Nuk duhet të befasohemi sot me “mjellmat e zeza” që na shfaqen rëndom mes nesh, sepse kemi humbur shoqërinë e lexuar. Rënia e statusit të krijuesit ka kohë që ka nisur dhe afërmend nuk ka zgjidhje në kohë. Sot, ne kemi në dorë që ta respektojmë Shkrimtarin duke i dhënë vendin që meriton, përderisa jemi degdisur në “adhurim” me topmodele, topaxhinj, parelinj, drogaxhinj, pushtaxhinj, e kështu me radhë. Rendi i vlerave merr fuqinë kur ka fuqi arsyeja dhe kreativiteti njerëzor. “One man show” mund të jetë edhe një shkrimtar; qoftë në botën reale apo edhe atë virtuale.
Nëse flasim për fuqinë e fjalës dhe dobinë e artit edhe në rrjete, shkrimtari do ta marrë vendin që i takon. Më besoni, ka ardhur dita që booktoker-at më të mirë të jenë Dostojeski apo Franz Kafka. Të tjerë do të vijnë së shpejti. Sepse shkrimtari i mirë ka fuqinë të rrokë dhe sendërtojë çdo konstante njerëzore universale, – jetën, vdekjen, tradhtinë, frikën, urrejtjen, dashurinë, humbjen, etj., – ka aftësinë e këndvështrimit dhe na përafron me tjetrin, si i përngjashmi dhe i ndryshmi i ynë, me të cilin do të ndajmë të mirën mes nesh. Në një kohë të trazuar me bomba dhe shfarosje masive, kur kthejmë sytë pas, e kuptojmë fare mirë aftësinë e shkrimtarit të sojit Remarque, apo Hemingëay, sepse ishte soji njerëzor që dinte të distancohej nga e keqja dhe të na ftonte secilit prej nesh për të rrokur të mirën dhe vlerësuar jetën njerëzore. Ja, pse na duhen sot Heminguejt dhe remarkët dhe ja pse sot duhet ta lartësojmë sojin e tyre.
Për shumëkënd këto fjalë mund të mos kenë kuptim, por koha e ka dëshmuar në shekuj dhe mijëvjeçarë që arti i fjalës mund ta bëjë shoqërinë më të mirë edhe më të lirë, përmes fuqisë së reflektimit që vjen nga përvoja gjatë aktit të leximit. Prandaj sot duhet të flasim më shumë se asnjëherë tjetër përse na duhen shkrimtarët? Cilat janë vlerat e tyre? Cila është aftësia e tyre në shoqërinë tonë? Do të duhet t’iu hapim dyert e zemrës dhe të mendjes; t’i ftojmë në auditorë, librari dhe klube, në sheshe publike; t’i marrim në podcaste dhe ekrane, – të lexojmë veprat e tyre dhe t’i kritikojmë ato kur nuk na përmbushin, ashtu siç t’i promovojmë me mendje dhe me zemër kur ato sjellin fuqinë e ndryshimit brenda nesh. Kjo gjë duhet bërë edhe nesër, nëse nesër nuk do të jetë vonë…







