Nga Bujar Leskaj
Në projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave (huamarrësi), dhe Bankës Gjermane KfW Frankfurt am Main, për programin “Infrastruktura Bashkiake V – faza II””, problematika nuk qëndron tek ndihma e ofruar në formën e grantit prej 3 milionë euro dhe kredisë së butë prej 47 milionë euro nga një institucion kreditues dhe donator themelor tek ne, që na ka mbështetur fuqishëm edhe në të kaluarën, si banka gjermane me kapital shtetëror KfW.
Problemet e mprehta ne i kemi tek infrastruktura bashkiake tejet e degraduar dhe tek ato institucione qendrore dhe vendore, që e (keq) menaxhojnë atë.
- Mirënjohje kontributit të qeverisë gjermane
Marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë kanë qenë ndër më të rëndësishmet në periudhën e tranzicionit të vendit. Që nga fillimi i viteve ’90, qeveria gjermane dhe institucionet e saj financiare, veçanërisht Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e reformave ekonomike, në ndërtimin e infrastrukturës dhe në përmirësimin e shërbimeve publike në Shqipëri.
Në këto më shumë se tre dekada, ndihma gjermane për Shqipërinë ka arritur në qindra milionë euro, duke u përqendruar kryesisht në fusha strategjike si energjia, furnizimi me ujë, infrastruktura bashkiake, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi rajonal dhe forcimi i institucioneve. KfW ka qenë një nga partnerët më të qëndrueshëm të zhvillimit për Shqipërinë, duke financuar projekte që kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Një pjesë e rëndësishme e këtyre projekteve është fokusuar në sektorin e energjisë. Investimet në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë, si dhe në modernizimin e infrastrukturës energjetike, kanë ndihmuar në stabilizimin e sistemit energjetik dhe në rritjen e sigurisë së furnizimit. Po ashtu, projekte të rëndësishme janë realizuar në sektorin e ujësjellësve dhe kanalizimeve në shumë qytete shqiptare, duke përmirësuar aksesin në ujë të pijshëm dhe duke rritur standardet e shëndetit publik.
Ndihma gjermane nuk ka qenë vetëm financiare. Ajo ka qenë e shoqëruar gjithmonë me kërkesa të qarta për transparencë, përmirësim të qeverisjes dhe respektim të standardeve të shtetit ligjor. Kjo filozofi është pjesë e modelit gjerman të bashkëpunimit për zhvillim: fondet publike duhet të shoqërohen me institucione të forta, administratë profesionale dhe luftë efektive kundër korrupsionit.
Sot Shqipëria ka jo vetëm përfitimin, por edhe detyrimin moral dhe institucional për të respektuar standardet që partnerë si Gjermania kërkojnë në raport me sundimin e ligjit, transparencën dhe mirëqeverisjen. Mbështetja e vazhdueshme e një vendi si Gjermania nuk është thjesht një marrëdhënie financiare, por një partneritet që bazohet në besim dhe në përmbushjen e rregullave demokratike.
- Huaja për infrastrukturën bashkiake dhe problematikat e mprehta në zbatimin e saj
Pavarësht qëllimit të mirë të bankës shtetërore të zhvillimit KfW dhe qeverisë gjermane, që, përmes kredive të buta dhe granteve të kombinuara të mbështesë ndërtimin dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve, përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, si dhe investime të tjera që lidhen drejtpërdrejt me shërbimet lokale për qytetarët, për fat të keq, për shkak të menaxhimit të papërgjegjshëm të qeverisë qendrore dhe të bashkive socialiste, Programi “Infrastruktura Bashkiake V – faza II” është i destinuar të dështojë.
Infrastruktura bashkiake është një nga elementët më të rëndësishëm që përcakton cilësinë e jetës së qytetarëve në një vend. Rrugët urbane, rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndriçimi publik, menaxhimi i mbetjeve, hapësirat publike dhe transporti lokal janë shërbime që varen drejtpërdrejt nga funksionimi i pushtetit vendor. Megjithatë, në Shqipërinë e sotme, infrastruktura bashkiake përballet me një sërë problematikash të mprehta që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve.
Në praktikë, pothuajse të gjitha këto projekte deri tani, në fazën e Parë të Programit, janë përballur me problematika që lidhen me kapacitetet administrative të bashkive, me vonesa proceduriale dhe me mungesë koordinimi mes institucioneve qendrore dhe lokale.
Shumica e projekteve kanë probleme të mprehta të planifikimit urban, ku investimet në infrastrukturë nuk janë shoqëruar gjithmonë me plane të qarta zhvillimi territorial. Kjo ka sjellë situata ku rrjetet e reja të ujësjellësit apo kanalizimeve nuk shfrytëzohen plotësisht ose kërkojnë ndërhyrje shtesë, për shkak të zgjerimit të pakontrolluar urban.
Një tjetër problematikë madhore lidhet me menaxhimin financiar të projekteve nga bashkitë. Kreditë, edhe kur janë me kushte shumë të favorshme si ato të KfW, kërkojnë disiplinë fiskale, transparencë në përdorimin e fondeve dhe kapacitete profesionale për menaxhimin e projekteve.
Për këtë arsye, përfitimi maksimal nga financime të tilla kërkon jo vetëm fonde, por edhe institucione vendore më të forta, planifikim më të mirë dhe përgjegjshmëri më të madhe në përdorimin e parave publike dhe ato të donatorëve.
Në tërësi, ndihma gjermane dhe projektet e KfW kanë qenë ndër shtyllat kryesore të mbështetjes ndërkombëtare për zhvillimin e Shqipërisë gjatë 30 viteve të fundit. Ruajtja dhe forcimi i këtij partneriteti kërkon jo vetëm vazhdim të investimeve, por mbi të gjitha, respektim të standardeve të shtetit ligjor, transparencës dhe mirëqeverisjes, parime këto që sekti Rama në qeverisje i ka shkelur me të dyja këmbët dhe që janë themeli i besimit mes Shqipërisë dhe një prej partnerëve të saj më të rëndësishëm europianë.







