Besimtarët myslimanë në mbarë vendin kanë festuar sot Fitër Bajrami, duke përmbyllur muajin e shenjtë të Ramazani me falje, lutje dhe urime për paqe e begati.
Që në orët e para të mëngjesit, në të gjitha qytetet e Shqipërise, besimtarët iu drejtuan shesheve dhe xhamive për të kryer namazin e Bajramit, duke krijuar një atmosferë të veçantë përkushtimi dhe solidariteti.
Në Fier, ceremonia e faljes u mbajt në sheshin qendror të qytetit, ku myftiu Mikel Hazizolli përcolli mesazhe për më shumë harmoni dhe bashkëpunim në shoqëri. Ndërsa në Kukës, myftiu Emirjon Vathaj theksoi se kjo është një ditë gëzimi dhe shpërblimi për besimtarët.
Edhe në Bulqizë, besimtarët u mblodhën në xhami për të përmbyllur Ramazanin, ndërsa myftiu Sejdin Strazimiri vuri theksin te edukimi i brezit të ri dhe kujdesi ndaj ndikimit të rrjeteve sociale. Në Lezhë, falja u zhvillua në një atmosferë qetësie dhe përkushtimi, ku u theksuan vlerat e sakrificës dhe solidaritetit.
Në Vlorë, qindra besimtarë u mblodhën në Pallatin e Sportit “Flamurtari”, ndërsa myftiu Ardit Hoxhllaku u bëri thirrje për më shumë përkushtim ndaj familjes dhe ndihmë për ata në nevojë. Po ashtu, në Dibër, falja u zhvillua në Pallatin e Sportit “Bashkim Lala”, ku besimtarët shkëmbyen urime për paqe dhe begati.
Atmosfera festive u ndje edhe në Durrës, ku besimtarët u mblodhën pranë xhamive për të falur namazin dhe për të përcjellë mesazhe largimi nga veset dhe përkushtimi ndaj vlerave fetare. Ndërkohë, në Krujë dhe Fushë-Krujë, mijëra besimtarë morën pjesë në ceremonitë e organizuara, duke theksuar rëndësinë e bashkimit dhe dashurisë mes njerëzve.
Në Gjirokastër, falja u drejtua nga myftiu Ermin Gjana, i cili uroi për më shumë paqe, mirëkuptim dhe begati në familjet shqiptare. Pas ceremonive, në shumë qytete besimtarët shkëmbyen vizita dhe urime, duke vijuar traditën e kësaj feste të rëndësishme.







