Një ditë pas aksidentit tragjik në një kantier ndërtimi në Vjenë, ku u rrëzuan skelat gjatë punimeve, autoritetet kanë konfirmuar identitetet e viktimave.
Sipas policisë, tre nga personat që humbën jetën janë shtetas të Kosovë. Zëdhënësi Phillip Hasslinger bëri të ditur se shkaqet e aksidentit ende nuk janë sqaruar plotësisht dhe hetimet janë në vazhdim.
Viktimat janë identifikuar si Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj.
Pas ngjarjes, Ambasada e Kosovës në Austri ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe ka premtuar transparencë për çdo zhvillim të ri lidhur me rastin.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se lajmi ka tronditur thellë opinionin publik dhe duke u shprehur solidar me familjet e prekura.
“Jemi thellësisht të prekur nga kjo tragjedi. Në këto momente të vështira, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të gjithë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre,” thuhet në reagimin e tij.
Kurti gjithashtu bëri të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me Ambasadën në Vjenë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave.
Reagime ngushëllimi kanë ardhur edhe nga figura të tjera politike në Kosovë, përfshirë Bedri Hamza dhe Enver Hoxhaj.
Aksidenti ndodhi në lagjen Alsergrund, gjatë punimeve për rikonstruksionin e një ndërtese të vjetër.







