Një histori e bukur dashurie zhvillohet prej kohësh në Tiranë. Bëhet fjalë për djalin e Ilir Metës, Besartin dhe këngëtaren e famshme, Kanita.
Vetëm javën e fundit janë mësuar detaje të reja nga kjo histori, që për shumë ishte e njohur, por opinioni publik pak dinte. Këngëtarja nga Shkupi, e cila ka ruajtur një profil të ulët në media, mesa duket ka gjetur dashurinë në krahët e djalit të ish-Presidentit.
Me aq sa kemi mundur të mësojmë, kjo romancë qenka më serioze sesa dihet. Bëhet me dije se lidhja e çiftit është konsoliduar tashmë edhe me familjet e tyre dhe dyshja e jeton këtë dashuri mes Tiranës dhe Shkupit, duke pasur një jetesë të përbashkët mes angazhimeve të përbashkëta që kanë.
Ishte pikërisht Monika Kryemadhi, ajo që dha sinjalet e para për një lidhje serioze të djalit të saj. Pikërisht gjatë bisedës në një panel, Monika zbuloi detaje që i kishin shpëtuar publikut. Ajo tregoi se djali i saj, Besari, një djalë shumë i matur dhe i edukuar që i qëndron larg mediave, ishte skeptik për rolin e saj në film.
Por, mbështetja kryesore për ta bindur atë ka ardhur pikërisht nga partnerja e tij, një artiste nga Shkupi. Edhe në intervista paraprake, Monika ka folur me superlativa për zgjedhjen e djalit, duke treguar se kjo lidhje e ka afruar Besarin edhe më shumë me familjen. Dhe nusja e familjes Meta qenka pikërisht këngëtarja e njohur, Kanita.
Këngëtarja, e cila njihet për zërin e saj potent dhe stilin mjaft diskret, është në një romancë shumë të shëndetshme me Besarin prej më shumë sesa 1 viti. Kanita ka arritur të krijojë një urë komunikimi mjaft të bukur edhe me familjen e partnerit, duke u bërë kështu pjesë e pandarë e tyre. Duket se Besari dhe Kanita janë padyshim një nga ato çiftet që vërtetojnë se dashuria mund të jetë shumë e fortë edhe kur jetohet larg zhurmës së panevojshme.
Çifti duket se po planifikon edhe fejesën e tyre, duke ‘vulosur’ kështu edhe këtë histori dashurie. Për miqtë e afërt kjo histori është tërësisht e njohur, pasi dyshja është përgjatë gjithë kohës bashkë. Kanita është parë shpesh herë në Tiranë, ku arsyeja e vizitës nuk ka qenë për karrierën e saj, por për të qenë pranë partnerit.
Me këtë lidhje, karriera muzikore e saj ka dalë në planë të dytë, duke preferuar që të përqendrohet tek jeta private dhe tek historia e dashurisë që pritet të konkretizohet së shpejti. Deri atëherë, ne mezi po presim të shohim për herë të parë këtë çift së bashku, duke u shndërruar ndër çiftet më interesante në vendin tonë./Panorama Plus



















