GJKKO ka lënë të pandryshuar masën “arrest me burg” për Ilir Metën pavarësisht ofrimit të garancisë pasurore prej 50 mijë eurosh, në këmbim të një mase më të butë.
Ish-presidenti nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati mbrojtës Kujtim Cakrani.
Në një prononcim për mediat, avokati Cakrani deklaroi se nuk ka më arsye pse Ilir Meta të qëndrojë ende në bodrumet e 313.
“I vendosëm në dispozicionin shumën e caktuar, deri në 50 mln lekë dhe gjykata nuk arriti të ngrihej në lartësinë e duhur. Eci mirë seanca, por në momentin e fundit ndryshoi gjithçka. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do bëjmë kërkesën edhe kur çështja të kalojë në themel. Jemi në rrugën tonë për të zëvendësuar masën ndaj presidentit. Aty ishim për arsyet pse duhet të qëndrojë presidenti në bodrumet e 313. Unë ia kërkova gjyqtarit, i thashë sot t’ia bëjmë dhuratë presidentit, nuk ka mundësi për prishje prove apo intimidim dhe ia kërkova që t’i bënim një dhuratë. Por lufta jonë nuk mbaron këtu, do presim dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha avokati i Metës.







