Gazetari Namir Lapardhja humbi jetën nga një arrest kardiak në Gjermani një javë më parë. Sot u zhvilluan homazhe në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat.
Drejtues të lartë të politikës shqiptare dhe miq të tij, e quajnë këtë humbje, një humbje të madhe për qytetin e Beratit dhe jo vetëm.
Gazetari Namir Lapardhaja u nda nga jeta në mënyrë të papritur një javë më parë në Gjermani, si pasojë e një ataku kardiak.
Lajmi i trishtë preku jo vetëm familjarët dhe miqtë por të gjithë komunitetin ku ai kontribuoi me përkushtim në fushën e gazetarisë.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, në homazhet në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat, u mblodhën dhjetëra qytetarë, miq të afërt, drejtues të Partisë Demokratike, kolegë, si dhe drejtues vendor, për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit.
I lindur në Berat në vitin 1986,ku edhe kaloi vitet e para të jetës, Namir Lapardhaja kreu studimet e mesme në Medresenë e qytetit, një përvojë që ndikoi në formimin e tij intelektual dhe në sistemin e vlerave që do ta shoqëronin më pas.
Më tej, ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe përfundoi një master të nivelit të dytë në “Studime Letrare”, duke ndërtuar një profil që ndërthurte arsimin me analizën dhe publicistikën.
Ai ushtronte profesionin e mësuesit dhe paralelisht u angazhua në median e shkruar dhe atë vizive, ku u dallua për analizat dhe qëndrimet e tij të drejtpërdrejta mbi zhvillimet politike dhe shoqërore. Angazhimi i tij lidhej ngushtë me qytetin e Beratit, ku ai njihej si një zë opozitar dhe pjesë e strukturave të Partia Demokratike. Megjithatë, në vitet e fundit ishte tërhequr nga përfshirja aktive në politikën vendore, duke u fokusuar më shumë në analizë dhe reflektim publik.
Ai ishte autor i tre librave, “Përtej heshtjes”, “Në kërkim të kuptimit” dhe “Refleksione”, përmes të cilëve sillte mendim kritik dhe reflektime mbi shoqërinë, letërsinë dhe përvojën njerëzore. Lapardhaja rridhte nga një familje e persekutuar beratase, një element që ndikoi në formimin e tij dhe në raportin kritik me realitetin politik dhe shoqëror.
Prej disa vitesh ai jetonte në Gjermani, pa u shkëputur nga debati publik në Shqipëri, ndërsa në jetën personale ishte baba i dy vajzave dhe njihej si një njeri i përkushtuar dhe korrekt në marrëdhëniet njerëzore dhe profesionale.
Pas homazheve, kortezhi mortor u nis drejt varrezave të Burdulliasit në Berat, ku do kryhet edhe ceremonia e përcjelljes së tij për në banesën e fundit. AlfaPress







