Sot Bordi i Transparencës ka marrë vendimin për përditësimin e çmimeve të karburanteve, në reflektim të lëvizjeve në bursën Platts Mediterranean, ku është konstatuar një ulje e çmimeve krahasuar me datën 25.03.2026: benzina me -3.35 $/ton dhe gazoili me -7.1 $/ton.
Si rrjedhojë, janë përcaktuar këto çmime maksimale:
Çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin (standardi SSH EN 590) nuk duhet të jetë më shumë se 203 lekë/litër, ndërsa çmimi me shumicë jo më shumë se 191 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë për benzinën (standardi SSH EN) nuk duhet të jetë më shumë se 175 lekë/litër, ndërsa çmimi me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër.
Këto çmime hyjnë në fuqi më 26 Mars 2026, në orën 18:30 dhe do të mbeten në fuqi deri në vendimmarrjen e radhës së Bordit.
Që nga krijimi i tij, Bordi i Transparencës ka ndjekur në mënyrë rigoroze lëvizjet e bursës së Mesdheut për gazoilin dhe benzinën, si dhe është bazuar në faturat zyrtare të operatorëve të tregut.
Theksohet se Bordi nuk përcakton çmimin e naftës bruto, por vetëm çmimet e nënprodukteve si gazoili, benzina dhe gazi i lëngshëm, në përputhje me standardet e përcaktuara në aktet normative në fuqi.
Gjithashtu, Bordi vendos vetëm marzhet maksimale bruto për shitjen me shumicë dhe pakicë, brenda të cilave operatorët duhet të përballojnë të gjitha kostot e tyre operative. Ndryshimet në çmime lidhen drejtpërdrejt me luhatjet në bursën Platts Mediterranean dhe kursin e këmbimit të dollarit amerikan, ndërsa elementët e tjerë të çmimit mbeten të pandryshueshëm.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vijon angazhimin për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Duke marrë parasysh situatën jo të zakonshme ekonomike, vendimet e ndërmarra synojnë të reflektojnë zhvillimet e tregut vendas dhe ndikimet e tregjeve ndërkombëtare.
Të gjithë operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës janë të detyruar të zbatojnë këtë vendim.
Në rast të shkeljeve, do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.
Institucionet përgjegjëse janë në monitorim të vazhdueshëm të bursave ndërkombëtare për të reaguar në kohë ndaj çdo ndryshimi.







