Dërgimi i mijëra ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme ka rritur spekulimet për një operacion të mundshëm ushtarak të SHBA-së kundër Iranit, me një nga pyetjet kryesore që lidhet me qëllimin e një lëvizjeje të tillë.
Një nga skenarët që po shqyrtohet është pushtimi i ishullit Kharg, një nyje kyçe energjetike në veri të Gjirit Persik, përmes të cilit kalojnë rreth 90% e eksporteve të naftës të Teheranit. Megjithatë, analistët vënë në dukje se ishuj të tjerë mund të kenë rëndësi edhe më të madhe, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Shtatë ishuj, Abu Musa, Greater Tunb, Lesser Tunb, Hengam, Qeshm, Larak dhe Hormuzi, përbëjnë atë që studiuesit e quajnë “harqe mbrojtëse” të Iranit, sipas CNN. Një studim i vitit 2022 tregon se shpërndarja gjeografike e këtyre ishujve i mundëson Teheranit të kontrollojë trafikun detar në ngushticë, pasi anijet dhe tankerët e mëdhenj detyrohen të kalojnë pranë tyre për shkak të thellësisë së ulët të ujit.
Veçanërisht të rëndësishëm konsiderohen Abu Musa, Greater Tunb dhe Lesser Tunb, të cilët mund të shfrytëzohen si pika sulmi nga anijet e shpejta të Gardës Revolucionare, minimi apo përdorimi i dronëve. Zyrtarët iranianë i kanë quajtur këta ishuj “avionëbërës të papërshkueshëm nga uji”, duke theksuar vlerën e tyre strategjike.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike ka forcuar tashmë prezencën e tij në këto ishuj, me komandantin që deklaron se Irani ka kapacitetin të godasë baza, anije dhe objektiva armike në rajon.
Sipas analistëve, për të siguruar kalimin e forcave detare në Gjirin Persik – veçanërisht në rast një operacioni zbarkimi në Kharg, SHBA duhet të neutralizojnë më parë pozicionet iraniane në këta ishuj.
Aktualisht janë në gatishmëri rreth 5,000 ushtarë, përfshirë njësitë e marinës dhe rreth 1,000 ushtarë të 82nd Airborne Division. Vlerësohet se mund të përdoren dy njësitë e zbarkimit për të arritur “fuqi shkatërruese”.
Transferimi i trupave mund të bëhet detarisht ose ajror. Mjetet e zbarkimit përfshijnë anije speciale që mund të afrohen në breg, por hyrja në Gjirin Persik është e rrezikshme, pasi duhet të kalojnë pranë zonave të kontrolluara nga forcat iraniane, si ishulli Hormuz, Larak, Qeshm dhe Hengam, si dhe përgjatë bregut të Iranit.
Analistët theksojnë se ishulli Larak, në hyrje të ngushticës, është një objektiv veçanërisht kritik, pasi Irani mund të godasë nga aty anijet që tentojnë të hyjnë në Gjirin Persik.
Si alternativë, SHBA mund të përdorin një zbarkim ajror, por kjo do të thotë më pak pajisje në terren, ndërsa mjetet ajrore janë të ekspozuara ndaj sistemeve kundërajrore.
Sipas vlerësimeve, një operacion pushtimi i ishujve mund të zgjasë nga dy ditë deri në dy javë. Në rast suksesi, SHBA do të mund të vendosë radarë dhe trupa ushtarake, duke kontrolluar aktivitetin në ngushticë dhe duke privuar Iranin nga baza kritike operacionale.
Megjithatë, mbajtja e kontrollit mbi këta ishuj do të kërkonte një forcë të përhershme rreth 1,800–2,000 ushtarësh, të ekspozuar ndaj sulmeve me raketa, dronë dhe artileri nga territori iranian.
Ndërkohë, forcat amerikane dhe izraelite kanë nisur tashmë goditje ndaj bazave ushtarake iraniane, përfshirë infrastrukturën në ishujt Abu Musa dhe Tunb, duke përgatitur mundësisht terrenin për operacione të ardhshme.
Zgjedhjet ushtarake shoqërohen edhe me sfida politike. Ishujt Abu Musa dhe Tunb janë subjekt konflikti midis Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që nga viti 1971, kur Irani mori kontrollin e tyre. Emiratet kanë apeluar te Kombet e Bashkuara dhe nuk përjashtojnë një apel në Gjykatën Ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, një pushtim amerikan i ishujve krijon dilema: nëse kthehen te Irani, mund të shkaktohet tension me Emiratet; nëse jepen në dorë tjetër, mund të minohet stabiliteti i një qeverie të ardhshme iraniane.
Njëkohësisht, Donald Trump njoftoi shtyrjen me 10 ditë të afatit për sulme të mundshme ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, deri më 6 prill, për t’i dhënë kohë negociatave. Sekretari amerikan i Shtetit tha se ka përparim, ndërsa sekretari i Mbrojtjes theksoi se operacionet ushtarake vazhdojnë.
Ngjarjet në Gjirin Persik tregojnë se kontrolli i pikave gjeografike kritike, si ishujt në në Ngushticën e Hormuzit, mund të jetë vendimtar, ndërsa çdo opsion ushtarak shoqërohet me kosto të lartë, rreziqe dhe pasoja gjeopolitike.







