Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka shkarkuar këtë të enjte nga detyra Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, një aleate e ngushtë e tij, e cila ishte kritikuar për mënyrën se si kishte trajtuar dosjet e Epstein.
Sipas CNN, zëvendësprokurori i përgjithshëm Todd Blanche (ish-avokat personal i Trump) do të shërbejë si prokuror i përkohshëm.
Ndërkohë burime të Associated Press thanë se Trump kishte diskutuar privatisht mundësinë e zëvendësimit të Bondi me administratorin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Lee Zeldin.
Në këto biseda, presidenti shprehej i pakënaqur me Bondi-n për menaxhimin e dosjeve Epstein dhe pengesat që Departamenti i Drejtësisë kishte hasur në hetimet ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Zeldin, ish-kongresmen republikan nga New York-u që kandidoi pa sukses për guvernator në vitin 2022, është shfaqur si një nga favoritët e Trump-it. Në një aktivitet në shkurt, presidenti e cilësoi atë si “armën tonë sekrete”.
Megjithatë, në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, Trump tha: “Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi është një person i mrekullueshëm dhe po bën një punë të mirë.”
Shkarkimi i Bondi pritet të hapë debat të ri mbi drejtimin e Departamentit të Drejtësisë.







