Në Universitetin “Eqrem Çabej” u zhvillua një forum i hapur me temë:“Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian (GJDBE): arkitekte e rendit juridik europian dhe mbrojtëse e qytetarit”.
Aktiviteti u organizua në kuadër të modulit Erasmus+ Jean Monnet (2025–2028) dhe projektit EU4EduGovRegAL, që synon të forcojë qeverisjen përmes edukimit mbi Bashkimin Europian.
Forumi bëri bashkë përfaqësues të akademisë dhe sistemit të drejtësisë. Në panel morën pjesë Zv/Rektorja Prof. Asoc. Merita Isaraj, Kryetarja e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, Magjistrate Entela Selmanaj, Gjyqtarja Magjistrate Nertila Përallaj, Sonila Meka Drejtor i komanduar i Drejtorisë së Koordinimit, Promovimit të Trajnimeve dhe Analizës në DPPI, si dhe drejtuesi i projektit, Dr. Arjan Gjini.
Diskutimet u përqendruan në rolin e GJDBE-së në garantimin e interpretimit të njëjtë të ligjit në vendet anëtare, si dhe në parime themelore si efekti direkt dhe supremacia e së drejtës së BE-së.
Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e dialogut gjyqësor dhe roli i gjyqtarëve kombëtarë në zbatimin e së drejtës europiane, veçanërisht për Shqipërinë si vend kandidat në procesin e integrimit.
Forumi u ndoq me interes nga studentë, pedagogë dhe përfaqësues të institucioneve, duke krijuar një hapësirë të hapur diskutimi mbi drejtësinë dhe vlerat europiane.







